Gratë shqiptare për nivel të lartë inteligjence lënë pas shumë femra të shteteve të zhvilluara. Një studim i Bankës Botërore tregon se vendi ynë rezulton si një ndër shtetet me numrin më të lartë të femrave të diplomuara në shkenca. Renditemi në vendin e 8-të, nga 114 vende të botës. Në Shqipëri 49% e të diplomuarve në shkenca janë gra.
Në një krahasim në vendet e Ballkanit kemi më shumë gra të diplomuar në shkenca se Maqedonia, që ka 45% të të diplomuarve në këto profile femra, se Bosnje-Hercegovona me 43%, Serbia me 40% dhe Kroacia me 38%.
Në botë ka dhe shtete që numrin e grave të diplomuara për shkenca e kanë minimalist, siç janë Koreja e Jugut, Kili, Burundi, Kamboxhia dhe Burkina Faso. Në këto vende vetëm 2% e të diplomuarve në shkenca janë gra.
Banka Botërore pas këtyre të dhënave ka arritur në përfundimin se kjo pabarazi në zgjedhjet profesionale pasqyron një mundësi të humbur për gjininë femërore, ndaj këshillon që në të gjithë botën të inkurajohen vajzat për të investuar në fushat shkencore.