Policia ka sekuestruar 422 kg lëndë narkotike dhe një armë zjarri automatike të fshehura në një nga dhomat e hotelit në fshatin Piqeras të Himarës. Operacioni i koduar “Hotel Room” është finalizuar më 19 gusht 2017. Policia ka arrestuar Dhimitër Qëndro, 54 vjeç, banues në Piqera si poseduesi i lëndës narkotike.
“Strukturat e Hetimit të Narkotikëve gjatë kontrollit të ushtruar në një nga dhomat e një hoteli, në administrim të shtetasit Dh.Q., në fshatin Piqeras, kanë konstatuar një sasi lënde narkotike Cannabis Sattiva me peshë 422 kilogram e 300 gram si edhe një armë zjarri automatik me dy krehër” informon policia e Vlorës.
Materialet u referuan në Prokurori në ngarkim të shtetasit të lartë përmendur për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ” Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 278/3 të Kodit Penal.