Vajza e saj Evita Fyrtos ishte një çikliste sportiste e klubit “Aek”. “Ajo ishte një luftëtare. Dhe unë, tani, do të përpiqem ta imitoj vajzën time". Kështu shkruan nëna në letrën që një gazetar, mik i familjes e lexoi publikisht, në televizion. Fjalët e nënës prekën gjithkënd, pasi ajo ka gjetur forcë për të shkruar me gjithë dhimbjen e saj të madhe. Në “ferrin” e Matit ajo humbi, vajzën 14-vjeçare, djalin Andreasin 11-vjeçar dhe burrin e saj një ish-çiklist profesionist. Fundi i çiklistes 14-vjeçare Evita ishte i tmerrshëm. Një dëshmitar okular në një plazh në jug të Matit dëshmoi tmerrin. “Dëgjuam britmat e një vajze. Ajo po digjej. Pastaj e pamë kërcimin e saj në shkëmb nga një lartësi prej të paktën 15 metrash "-tha ai.
Një gazetar, mik i familjes lexoi në televizion letrën e shkruar nga nëna e cila tregon detaje nga ngjarja. Bashkëshorti i saj Grigoris dhe djali Andreas u gjetën të djegur në makinën e tyre, jo shumë larg nga ku Evita u hodh nga shkëmbi në anë të detit. “Unë e di - thotë nëna e Evitës - se burri im Grigoris ka bërë gjithçka ka mundur për t'i shpëtuar ata. Dhe unë e di se nëse ai nuk arriti ti shpëtonte është për faktin se ky ishte vullneti i Zotit ". Kujtesa kthehet në një telefonatë, e fundit e bërë me djalin. "Unë ende dua të dëgjoj dridhjen e zërit të Andreas, me veshët e mi”-shkruan ajo. “ Kam frikë, mami, jam shumë i shqetësuar, por do të jem i fortë. Por ti mos eja këtu mami. Unë nuk dua që të vish këtu, gjithçka është përfshirë nga zjarri"-ishin fjalët e fundit të 11-vjeçarit.
Sigurisht, ajo nuk do e dëgjonte. Të paktën ky ishte synimi. “Unë u përpoqa t'u afrohesha, për t'i arritur ata - shkruan ajo - Katër orë provova, në të gjitha mënyrat e mundshme. Pastaj, kur u largova nga përpjekja e fundit, mendova se ndoshta do të ishte më mirë të mos rrezikoja, kështu që mund të ndihmoja burrin dhe fëmijët e mi, nëse do të ishte e nevojshme "-vijon rrëfimin.
Në vend të kësaj ajo do të merrte lajmin e hidhur se si Evita vdiq, dhe më pas edhe vdekjen e Grigoris dhe Andreas. “ Më kam mbaruar fjalët. Kur të identifikoj trupat e djemve të mi, unë do t'ju them me siguri se kam humbur gjithçka. Përqafoni fëmijët tuaj çdo ditë"-përfundon letrën nëna. Drama e familjes Fytros tronditi Athinën, sepse Grigoris dhe Evita ishin të lidhur me seksionin e çiklizmit të klubit multi-sportiv “Aek”, një nga klubet më të rëndësishme në kryeqytetin grek.