INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
I konfiskuan 58 mijë dollarë në aeroport, shqiptari padit autoritetet në SHBA

I konfiskuan 58 mijë dollarë në aeroport, shqiptari padit autoritetet në SHBA

Publikuar më: 11:05 01-06-2018

Një 64-vjeçar shqiptar emigrant në Cleveland, Ohio të Shteteve të Bashkuara paditi autoritetet doganore, të cilat i sekuestruan në aeroport mbi 58 mijë dollarë pa i dhënë asnjë motiv. Rustem Kazazi ishte duke udhëtuar për në Shqipëri kur agjentët e aeroportit e kontrolluan dhe i konfiskuan paratë, pa e sqaruar pse. Historia e shqiptarit, është publikuar në të përditshmen “Chicago Tribune”. Kjo e fundit ka publikuar rrëfimin e 64-vjeçarit shqiptar që në të kaluarën ka punuar si oficer policie në Shqipëri. Kazazi dhe familja e tij udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2005 pasi fituan në programin e Lotarisë Amerikane, dhe në vitin 2011, u bënë qytetarë amerikanë. Gati një dekadë nga largimi nga Shqipëria, Kazazi planifikoi një udhëtim në vendlindje. Qëllimi ishte të takonte të afërmit, të riparonte shtëpinë e tij dhe me dëshirë për të blerë një shtëpi pushimi. Me vete mori edhe 58 mijë dollarë që Kazazi thotë se ishin kursimet e tij, gruas Lejla dhe djalit Erlad i cili është diplomuar në inxhinieri kimike në Cleveland State University. Rustem Kazazi nuk flet mirë anglisht. Në intervistën e përkthyer nga i biri ai tregon se i mori paratë me vete pasi frikësohej të tërhiqte shuma të mëdha parash nga një bankë shqiptare. “Krimi në Shqipëri është shumë më i keq se këtu. Ka pasur raste që persona që tërheqin shuma të mëdha në bankë janë ndjekur dhe janë grabitur. Por edhe taksat e kalimit me bankë dhe përqindjet e kursit të këmbimit janë të larta” – tha ai duke shtuar se kontraktorët shqiptarë preferonin më mirë një monedhë të huaj se leku. Për këtë arsye ai vendosi të marrë kursimet në të holla me vete.

Në 24 tetor 2017 ai u paraqit në aeroportin e Cleveland. Paratë i kishte futur në 3 çanta në prerje 100 dollarëshe. Me vete kishte edhe një dokument të tërheqjes së parave nga bankat amerikane. Paratë u zbuluan nga kontrolli në aeroport të cilët lajmëruan inspektorët e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit. “Nisën të më pyesin, por unë nuk i kuptoja sepse ata flisnin shumë shpejt. U kërkova një përkthyes, por nuk pranuan. Më dërguan në një dhimb pa dritare ku nisën të kërkonin gjithandej. Më kërkuan të zhvishem lakuriq ndërsa më dhanë një batanije të mbulohesha nga mesi e poshtë. Më pas erdhi një person me doreza plastike dhe po kërkonte edhe në pjesët intime të trupit tim. Më ngjasoi me një kërkim striptize. U ndjeva i dhunuar”.
Nga kërkimi nuk doli asgjë tjetër. As drogë. As kontrabandë dhe asnjë provë tjetër e ndonjë aktiviteti të paligjshëm. Por agjentët ia mbajtën paratë Kazazit. Ajo që shqetësonte Kazazin ishte se ata nuk mbajtën asnjë procesverbal për paratë e marra.“Nisa të frikësohesha sepse mendoja që ata i mbajtën paratë për vete” – tha ai në deklaratën e lëshuar. Pasi e liruan telefonoi gruan duke i shpjeguar çfarë i ndodhi. Ajo i tha se duhet të kishte ndodhur ndonjë keqkuptim, por edhe sot pas 7 muajsh, Doganat kanë ende paratë e tij.

Gjithçka ka nisur nga një urdhër i Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions sipas të cilit qeveria mund të sekuestrojë çdo pasuri të dyshimtë dhe i takon pronarit të justifikojë burimin e saj. Janë të shumta mediat dhe shoqatat që e kanë kundërshtuar atë, por qeveria amerikane thotë se ajo është një masë për të luftuar kriminalitetin.

Një muaj pas ngjarjes, në shtëpinë e Kazazëve shkoi një letër ku njoftoheshin se ishin prekur nga ky ligj dhe se do të konfiskoheshin 57330 dollarët e gjetur në aeroport. Kazazët fillimisht vunë re se mungonin 770 dollarë. Sipas tyre, kartëmonedhat ishin prerje 100-ëshe dhe është e pamundur që shuma të jetë 57330 dollarë. Avokati i tyre thotë se “gabime” të tilla ndodhin shpesh. Më e rëndë është akuza se “paratë mund të jenë të lidhura me kontrabandë, trafik droge ose pastrim parash”. Erald Kazazi thotë se për këtë nuk ka asnjë provë. “Ata kanë përmendur 3 akuza pa saktësuar për çfarë bëhet fjalë”.
Autoritetet amerikane kanë bërë të qartë për gazetën se çdo shumë më e madhe se 10 mijë dollarë do të konfiskohet gjatë udhëtimeve deri në vërtetimin që nuk vjen nga aktivitet kriminal. Doganat i kanë ofruar një marrëveshje për të kthyer një përqindje të parave, por Kazazi është i vendosur ta çojë çështjen në gjykatë. Ndërkohë zyra e avokatit amerikan për Qarkun e Veriut të Ohajos nuk pranoi të komentojë rastin. I biri i Rustemit, Erald Kazazi thekson se kjo ngjarje ka ndikuar në shëndetin e babit të tij dhe se e ka kthyer përmbys jetën e familjes. Por pavarësisht kësaj që i ndodhi, i ati nuk e ka ndryshuar mendimin për SHBA-të. “Pavarësisht gabimit të disa zyrtarëve që gabuan në punën e tyre, ai nuk ndryshim mendim për këtë vend” – tha Eraldi.

Article Logic
Execution time: 0.0038268566131592