INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Imazhi që bëri namin nëpër botë! Ja se si u inskenua vrasja e gazetarit rus...[FOTO]

Imazhi që bëri namin nëpër botë! Ja se si u inskenua vrasja e gazetarit rus...[FOTO]

Publikuar më: 07:24 31-05-2018

Vrasja e Arkady Babchenkos nuk ka ndodhur, edhe pse pas raporteve për vrasjen e gazetarit rus, më 29 maj, ka dalë një fotografi e trupit të tij të zhytur në gjak.

Fotografia ishte e rreme, me gjasë pjesë e një dredhie që zyrtarët ukrainas të sigurisë thanë se është bërë për të penguar një komplot për vrasjen e Babchenkos.

Se kush e ka bërë fotografinë dhe kush e ka vënë në qarkullim, nuk dihet. Nuk është madje e sigurt nëse vetë Babchenko është në foto.


Ajo u publikua për herë të parë në faqen e Facebook-ut të një ish-gazetari ukrainas, i cili tani thotë se punon për një organizatë konsultimesh në Uashington.

Fotografia u shpërnda shpejt në mesin e gazetarëve ukrainas dhe rusë, edhe pse pak media, nëse ndonjë, e kanë publikuar atë, për shkak të përmbajtjes së rëndë.

Yevhen Lauer, gazetari që e publikoi fotografinë, i tha Radios Evropa e Lirë se e ka marrë atë nga një burim i zbatimit të ligjit, të cilin nuk pranoi ta identifikojë.

Lauer, i cili ka punuar për media të ndryshme në Ukrainë në të kaluarën, së voni është lidhur me kompaninë Trident Group në lagjen Arlington të Uashingtonit. Kompania thotë se është e specializuar në “zbatimin e ligjit, hetimet, mbledhjen dhe analizën e informacionit, parandalimin e konflikteve dhe zgjidhjen e konflikteve, kontrollin e rrezikut ndërkombëtar dhe operacionet speciale”.

Presidenti i kompanisë, Yuri Koshkin, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Lauer ka bërë punë për Tridentin, porse ai nuk di për përfshirjen e tij në operacionin e Shërbimit ukrainas të Sigurisë, për të parandaluar vrasjen e Babchenkos.

As Radio Evropa e Lirë nuk e ka publikuar fotografinë fillimisht, jo vetëm për përmbajtjen e rëndë, por edhe për shkak të shqetësimeve rreth burimit.

Më 30 maj, pasi Babchenko doli në një konferencë për media dhe Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës shpalosi operacionin për të arrestuar komplotuesin e dyshuar, Lauer mohoi t’iu përgjigjet pyetjeve për përfshirjen e tij, duke u përgjigjur vetëm në tekst-mesazhe me figura të fytyrës së buzëqeshur.

Edhe pse autoritetet e Ukrainës thanë se operacioni ka pasur sukses edhe në parandalimin e vrasjes së Babchenkos, edhe në zbulimin e përfshirjes së agjencive të inteligjencës ruse, mashtrimi u dënua nga shumë avokatë të shtypit, të cilët thanë se shqetësohen për minimin e besueshmërisë në agjencitë e zbatimit të ligjit dhe në organizatat mediatike.

“E gjitha që duhet është një rast i tillë për të hedhur dyshime mbi të gjitha vrasjet e tjera politike”, tha Christophe Deloire nga organizata Reporterët pa Kufij.

Fotografia e falsifikuar është publikuar nga së paku një përdorues pro-rus i Twitter-it, i cili tha se edhe fotografive të tjera nuk mund t’iu besohet, për shembull atyre që postojnë Helmetat e Bardha që i ndihmojnë civilët në Siri.

“Ukraina sapo zotëroi gjithë gazetarinë. Tani e tutje, mos iu besoni fotografive dhe artikujve emocionalë”, shkroi përdoruesi i Twitter-it, i identifikuar si Antikaratel.

Duke folur për gazetarët, Babchenko, i cili është zhvendosur në Ukrainë pasi ka marrë kërcënime me vdekje në Rusi, nuk bëri komente të posaçme për fotografinë. Por, ai i kërkoi falje gruas së tij, për të cilën tha se nuk ka ditur për operacionin, dhe lavdëroi zyrtarët e Shërbimit ukrainas të Sigurisë për punën e tyre.

xfgth.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0038530826568604