Veprat penale të trafikut të drogës, grabitjet në banesa dhe në lokale kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë stinës së verës. Në tre muaj janë evidentuar 641 raste me një rritje 4.6 % krahasuar me një vit më parë. Gjatë periudhës korrik-gusht 2018, në Shqipëri është regjistruar një rritje e ndjeshme e veprave penale në fushën e drogës. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e tretë 2018 janë evidentuar 641 vepra penale të kultivimit, trafikimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike, duke shënuar një rritje me 4,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Në raportin e fundit të INSTAT thuhet se ka pasur një rritje edhe të numrit të vjedhjeve kryesisht në banesa dhe lokale. Për këtë kategori janë konstatuar 321 raste, duke shënuar një rritje me 15,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por edhe veprat penale për vjedhje lokalesh kanë shënuar një rritje me 36,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duhet thënë se bëhet fjalë për periudhën e kulmit të sezonit veror, ku dhe fluksi i pushuesve është i lartë.