Shqipëria është përballur me një bum turizmi gjatë këtij viti, thonë mediat italiane, që veç shifrave zyrtare i referohen kështu edhe dashurisë më të re të italianëve për të kaluar pushimet e verës. “Il messaggero”, e fakton edhe me shifra këtë “boom” turizmi në vendin tonë, duke shkruar se 5.7% e italianëve kanë zgjedhur pikërisht Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre të verës, një normë kjo realitivisht e lartë për një vend si Shqipëria. Sipas prestigjiozes italiane, interesi i lartë i turistëve italianë për vendin tonë, vërehet edhe me kërkimet e shumta në internet si dhe me interesin e lartë në portalet e prenotimeve dhe ato të hoteleve. Shkrimi jep edhe motivet se përse italianët kanë filluar ta duan kaq shumë Shqipërinë. Raporti çmim/cilësi vlerësohet si një ndër shtysat kryesore, edhe pse duhet ende punë për rritjen e cilisisë së shërbimeve. Atraksionet e shumta turistike, plot 3.390 të tilla vlerësohen si një tjetër pikë e fortë e turizmit shqiptar në menunë gjigande të ofertave për muajt e verës, jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë.