Një thirrje të fortë kanë lëshuar Kombet e Bashkuara për vendin tonë në lidhje me keqpërdorimin e pesticideve, por dhe në lidhje me cilësinë e ajrit. Ata fillimisht kanë bërë një vlerësim për hapat që duhet të hedhë Shqipëria në mënyrë që të garantohet arritja e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Mes 5 rekomandimeve ajo në lidhje me sigurinë ushqimore është dhe më e rëndësishmja.
Sipas raportit, qeveria shqiptare duhet të promovojë përdorimin e parimeve të bujqësisë organike, që përfshin përdorimin shumë strikt të pesticideve dhe fertilizuesve sintetikë, si dhe të promovojë dekompozimin më shumë sesa djegien e mbetjeve bujqësore. Nëse arrihet kjo thonë ekspertët e Kombeve të Bashkuara, nuk do të ketë shumë probleme shëndetësore me origjinë ushqimore.
Rekomandime janë dërguar dhe për mbrojtjen e ajrit, duke i vënë theksin forcimit të institucioneve të cilat duhet të jenë të akredituara.
Edhe Ministrisë së Mjedisit i kërkohet që të mbështesë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për të zgjeruar rrjetin e cilësisë së ajrit dhe të rregullojë vendndodhjen e stacioneve ekzistuese të monitorimit aty ku shihet e nevojshme.
Ndërsa Instituti i Shëndetit Publik porostitet që të kryejë vlerësime periodike për ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndet.