Policia e Korçës goditi një grup që prodhonte dhe shiste drogë si dhe falsifikonte dokumente. Në pranga u vunë pesë persona dhe u sekuestruan 25 kg lëndë e dyshuar Cannabis Sattiva, aparate lojërash fati, si edhe zbulohet një laborator i falsifikimit të dokumenteve. “Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, Sektori Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, Sektori Kundër Krimit Financiar ka bërë të ditur se ka finalizuar me sukses operacionit “Euro Kart”. Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. F, 51 vjeç, Th. SH, 54 vjeç, A. B, 49 vjeç, V.F, 58 vjeç, dhe Sh.M, 30 vjeç, të gjithë banues në Korçë. Hetime kanë filluar në muajin Maj për personat e përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Për dokumentimin ligjor të veprës penale për këtë procedim penal janë përdorur metodat special të hetimit”, sqaron policia.