INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kosovë, kuvendi voton presidentin, opozita proteston

Kosovë, kuvendi voton presidentin, opozita proteston

Publikuar më: 10:51 26-02-2016

Parlamenti i Kosovës mblidhet sot për të zgjedhur presidentin e ri, me gjithë kundërshtimin e partive opozitare, të cilat që nga e marta janë vendosur në sheshin përballë qeverisë dhe parlamentit për të kundërshtuar këtë zgjedhje për dhe të kërkuar rrëzimin e qeverisë.

Opozita po bëhet gati për protestë në kohën kur pritet të mbahet seanca.

Posti i presidentit i takon Partisë Demokratike të Kosovës, sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kandidatë për president janë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Rafet Rama, po ashtu nga kjo parti.

Përveç partive opozitare edhe disa deputetë të partive në pushtet e kundërshtojnë kandidaturën e zotit Thaçi për president dhe kanë paralajmëruar bojkotimin e seancës për të pamundësuar kuorumin e kërkuar për zgjedhjen e presidentit.

Ndërsa Kuvendi i Kosovës priste të votonte kandidaturat për president, Rafet Rama dhe Hashim Thaçi, një bombol e gazit lotsjellës ka shpërthyer në karriget e opozitës.

Ndërkohë, mijëra protestues kanë qëndruar jashtë Kuvendit, i cili ruhej nga forca të shumta policie.

Opozita kosovare kundërshton zgjedhjen e Thaçit si President të Republikës. Mësohet se gazi u hodh nga deputeti, Bali Muharremaj pak para se të niste proçedura e votimit, ndërsa më herët folën Fatmir Limaj, Albin Kurti dhe Visar Ymeri.

Më tej deputetët e opozitës u larguan nga salla, pas vendimit për përjashtimin e tyre. Deri më tani janë larguar thuajse të gjithë deputetët e opozitës. Në dalje të parlamentit, kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se vendimi i kryeparlamentarit, Kadri Veseli për të përjashtuar opozitën nga salla është një tjetër shprehje negative e kësaj qeverie.

“Policia i tërhoqi zvarrë deputetët, të cilët u përjashtuan në mënyrë arbitrare, me një vendim që nuk ka asnjë arsyetim. Ky është një operacion, i cili është bërë në bashkëpunim me policinë e Kosovës. Ky Kuvend, i cili po e humb legjitimitetin, po bëhet vend i policëve i kontrolluar nga treshja Thaçi, Mustafa, Veseli”, tha Ymeri.

Seanca ka rinisur për herë të tretë, teksa deputetët e opozitës janë jashtë saj. Aktualisht janë 82 deputetë të mjaftueshëm për të zgjedhur Presidentin.

 

Article Logic
Execution time: 0.0035412311553955