INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kreu i Bashkisë së Tiranës inspekton punimet për ndërtimin e Rr. “Faik Konica”

Kreu i Bashkisë së Tiranës inspekton punimet për ndërtimin e Rr. “Faik Konica”

Publikuar më: 10:52 17-08-2017

Zona pranë Qytetit Studenti dhe stadiumit kombëtar në ndërtim po merr një vlerë tjetër pas investimeve të Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se kjo pjesë e kryeqytetit do të jetë një nga poliqendrat e saj, ashtu si Kinostudio, Lapraka e Kombinati. Ai inspektoi punimet që po kryhen për rikonstruksionin e Rr. “Faik Konica”, e cila po shtrohet e gjitha me kalldrëm, për t’i dhënë zonës një model të ri estetik, por gjithashtu po realizohet edhe shtrimi i rrjetit nëntokësor me kanalizime dhe rrjet elektrik.

Kryebashkiaku Veliaj tha se puna për rindërtimin e rrugës po vijon me ritme të shpejta. “Në rrugën ‘Faik Konica’ kemi ndoshta një nga projektet më të komplikuara të bashkisë sepse ndër vite nuk janë respektuar distancat, nuk është përditësuar rrjeti nëntokësor. Pasi zbuluam që kishim një rrjet totalisht të amortizuar uji, që të parandalojmë në të ardhmen situata si ato që kemi te Astiri, ku ndërtimet janë bërë pa shtuar kapacitetin e rrjetit, kemi bërë një shtesë të rrjetit të prurjeve të ujit, të kanalizimeve, të gjithë rrjetit elektrik, telefonisë dhe internetit”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë kërkoi bashkëpunimin e banorëve të zonës për të liruar hapësirat e zëna në mënyrë që puna të përfundojë në kohë rekord. “U kërkoj të gjithë qytetarëve bashkëpunim, sidomos pronarëve të lokaleve, pronarëve të avllive, atyre që kanë tejkaluar çfarë ju lejon ligji nga prona e tyre ose nga shfrytëzimi i pronës së tyre. Sa më shumë bashkëpunim të kemi, aq më shpejt mund të ecim me këtë punë. Komunitetet që kanë bashkëpunuar, kanë afruar avllitë, ia kanë parë hajrin këtij bashkëpunimi sepse puna ka mbaruar në kohë rekord”, u shpreh ai.

Veliaj deklaroi se investimet e realizuara nga Bashkia e Tiranës do të rrisin vlerën e pronës së qytetarëve. “Kjo është një zonë e cila ka një bum të jashtëzakonshëm. Të shikojmë se si do t’i rritet vlera kësaj prone falë këtij investimi, por edhe faktit që stadiumi “Qemal Stafa” është konceptuar si një qendër tregtare, si një hapësirë për aktivitete të ndryshme dhe ekskluzivisht pedonale”, tha kryebashkiaku.

Ai deklaroi se e gjithë zona pranë “Qytetit Studenti” po shndërrohet në një nga poliqendrat e reja të Tiranës. “Po e kthejmë zonën e Qytetit Studenti në një nga poliqendrat e Tiranës, ashtu si Kinostudio, Lapraka, Kombinati. Zona e Qytetit Studenti, në kufi me parkun e madh të Tiranës, do të jetë një nga zonat më të lakmuara. Kjo është arsyeja pse këtë punë po e bëjmë mbarë një herë e mirë, që të mos i rikthehemi sa herë që kemi nevojë të përditësojmë rrjetin e ujit apo rrjetet e tjera mbështetëse të zonës”, tha Veliaj, teksa shtoi se në Njësinë 2 në kryeqytet do të ndërtohen edhe dy shkolla të reja 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme.

“Njësia 2 është sot një nga njësitë më të mëdha të Tiranës, ndaj jemi fokusuar kryesisht te çerdhet, kopshtet dhe shkollat e saj. Falë këtyre investimeve do të kemi përgatitur të gjithë njësinë për Tiranën e së ardhmes”, deklaroi ai.

Ndërtimi i Rr. “Faik Konica” parashikon ndërhyrje në nënshtresat dhe shtresat sipërfaqësore, ndërtimin e kanaleve të ujërave të zeza, të ujërave të bardha, ndërtimin e linjave rezervë për fibrat optike, si dhe ndriçimin e rrugës. Projekti parashikon përdorimin e pllakave në formë kalldrëmi, ndërsa gjerësia e rrugës do të jetë 11.5 metër, ku një korsi do të shërbejë për qarkullimin e automjeteve dhe një për parkimin. Gjithashtu, do të ndërtohet edhe korsi e dedikuar për biçikletat.

Article Logic
Execution time: 0.0028729438781738