INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
KShH: Të burgosurit me probleme mendore në burgun e Zaharisë trajtohen në mënyrë çnjerëzore

KShH: Të burgosurit me probleme mendore në burgun e Zaharisë trajtohen në mënyrë çnjerëzore

Publikuar më: 18:01 09-03-2018

Gjatë një monitorimi për respektimin e të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur me probleme të shëndetit mendor në burgun e Zaharisë Komiteti Shqiptar i Helsinkit vuri re se në këtë institucion, veç të tjerëve ndodhen 143 persona me mjekim të detyruar, të cilët ishin vendosur në seksion të veçantë, në dhoma ku u vërejt mbipopullim tepër shqetësues deri në 12 persona.

Dhomat ishin në kushte tepër të vështira që ndikonin në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të këtyre personave të cilët me vendim gjykate duhet të ishin në institucione të specializuara.

'Konkretisht u vërejt prezenca e lagështirës, higjenës së keqe, tesha të vjetëruara, ndriçim natyral i paktë ndërkohë që sistemi i ngrohjes ishte jashtë funksionit. Plotësimi i nevojave të këtyre personave për tualet ishte i vështirë për tu realizuar dhe i vonuar për shkak të numrit të madh të personave në raport me 4 tualet.

Dushet ishin difektoze aq më tepër sepse nuk kishte as ujë të rrjedhshëm. Si pasojë shpesh për larje ata përdornin kova më ujë.

Në këtë institucion kishte mungesa të theksuara në personelin e shërbimit mjekësor, çka ndikonte rrjedhimisht në cilësinë e dobët dhe kërkesat e shërbimit që duhet të ofrohen ndaj personave të sëmurë' thuhet në njoftim.

KShH po ashtu nënvizon se tepër shqetësuese ishte mungesa e mjekut psikiatër, në kushtet kur numri i të sëmurëve mendorë ishte tepër i lartë dhe në organigramë parashikoheshin 2 të tillë.

Gjatë monitorimit u konfirmua fakti se mjeku psikiatër vinte një herë në pesëmbëdhjetë ditë dhe nuk arrinte të vizitonte të gjithë pacientët brenda ditës, aq më tepër se shumica e tyre paraqitën ankesa.

Gjithashtu kishte mungesa në psikologë; përkatësisht ishin të punësuar 2 psikologë kur në fakt duhet të ishin 4 të tillë.

Gjatë monitorimit thuhet në njoftimin për mediat  rezultoi se nuk kishte aparatura të ndryshme laboratorike, mungesa e të cilave vështirësonte mjekimin e përshtatshëm madje mund të shkaktonte edhe pasoja të rënda në shëndetin e pacientit.

KShH mendon se një trajtim i tillë jo vetëm nuk është human, por ka të gjithë elementët e trajtimit ç’njerëzor dhe degradues të parashikuar nga neni 86 i Kodit tonë Penal dhe neni 3 të KEDNJ-së.

Duke patur parasysh kushtet e mësipërme KShH i ka rekomanduar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë të fillojë procedimin penal.

Article Logic
Execution time: 0.0036220550537109