INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kujdes ku parkoni në Tiranë, nami me gjoba në kryeqytet [VIDEO]

Kujdes ku parkoni në Tiranë, nami me gjoba në kryeqytet [VIDEO]

Publikuar më: 13:21 20-01-2019

Efektivët e policisë Rrugore po shihen shumë rrallë në rrugë, kjo pas urdhrit të firmosur nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj që eliminon ‘postblloqet policore’ dhe praktikën e dublimit të semaforëve me punonjës policie, në kryqëzimet e rrugëve urbane.

Por kjo nuk e ka penguar policinë që të evidentojë dhe gjobisë shkelësit e rregullave të qarkullimit, pasi janë shtruar patrullimet e kombinuara me automjete policie të shënjuara, punonjës policie në uniformë e mjete civile dhe punonjës pa uniformë.

Gjobat nuk po vendosen vetëm për shkelje në semaforë apo vija të bardha, por edhe për parkimet e gabuara, që duket se realizohen në masë të gjerë në kryeqytet.
Për të treguar se puna vazhdon të jetë efektive edhe me mjetet e reja logjistike, policia ka publikuar detaje nga aksioni i 24 orëve të fundit, ku 478 mjete janë konstatuar të parkuar gabim nga drejtuesit e tyre dhe janë gjobitur për këtë shkelje.

Policia pranon se hapësirat e parkimit dhe numri i mjeteve që qarkullojnë në kryeqytet janë në disproporcion dhe parkimi mbete problem madhor, por kjo sipas unfiormave blu “nuk përbën justifikim që për të konsumuar kafe, të parkosh ku të mundesh, në trotuar, në rresht të dytë, në vendkalim këmbësorësh, në korsitë e dedikuara apo në vendin e rezervuar për mjetet e shërbimit publik”.

“Janë plot 478 mjete të konstatuara dhe gjoba për këtë shkelje, në një ditë. Kryeqyteti është i të gjithë qytetarëve, dhe nëse dëshironi që të ngjajë si i tillë, duhet më shumë përgjegjshmëri, respekt ndaj tjetrit dhe sigurisht bindje ndaj rregullit”, shkruhet në postimin e Policisë së Shtetit në Facebook.

Article Logic
Execution time: 0.003788948059082