Kompozitori i madh Aleksandër Lalo, i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur të dielën në mbrëmje u përcoll sot me homazhe për në banesën e fundit. Homazhet në nder të artistit të madh shqiptar u mbajtën në hollin e RTSH-së. Lalo, 68 vjeç, ndërroi jetë pas një ataku kardiak në një prej spitaleve të Tiranës. Lalo lindi më 27 prill të vitit 1949, në Tiranë. Ai vinte nga një familje me origjinë nga Leskoviku. U diplomua në Fakultetin e Muzikës në Institutin e Lartë të Arteve, duke hyrë në radhët e kompozitorëve më të dashur shqiptarë. Aleksandër Lalo do të mbahet mend për muzikën e mirë që krijonte. Duke filluar nga viti 1972 ai ishte autori i kolonës zanore i të paktën 25 filmave shumë të njohura për publikun shqiptar. Në fondin e arkivit muzikor të RTSH gjenden shumë prej veprave të kompozitorit. Lalo ka kompozuar po ashtu këngë të muzikës së lehtë. Gjatë konkurimit me kompozimet e tij në festivale kryesisht ka arritur vende të dyta megjithëse meloditë e tij janë të mrekullueshme. Lalo ishte një nga personalitetet e rëndësishme të muzikës shqiptare, një mbrojtës i muzikës së mirë dhe asaj origjinale. Gjatë viteve të fundit ai ngriti shpesh herë zërin duke kritikuar hapur degradimin e muzikës shqiptare. Në dhjetorin e shkuar, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh”. Kompozitori i madh do të publikonte fotografinë e dekoratës duke komentuar përkrah saj: “Titujt nuk i bëjnë të mëdhenj artistët, artistët e mëdhenj i japin kuptim titullit.”
Disa nga kompozimet e Aleksandër Lalos:
Tingujt e harresës (1996) (TV)
Historiani dhe kameleoni (1989)
Treni niset më shtatë pa pesë (1988)
Dy herë mat (1986)
Fjalë pa fund (1986)
Asgjë nuk harrohet (1985)
Fushë e blertë fushë e kuqe (1984)
Era e ngrohtë e thellësive (1982) (TV)
Një vonesë e vogël (1982)
Shi në plazh (1982)
Shtëpia jonë e përbashkët (1981)
Thesari (1981)
Gëzhoja e vjetër (1980)
Nusja (1980)
Vajzat me kordele të kuqe (1978)
Tomka dhe shokët e tij (1977)
Dimri i fundit (1976)
Emblema e dikurshme (1976) (TV)
Duke kërkuar 5-orëshin (1974)
Odiseja e tifozëve (1972)
Të shoh në sy(1986)
Një gjeneral kapet rob (1980)