INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Letra prekëse e motrës për vëllain që humbi jetën nga një sëmundje e pashërueshme, do t’u bëjë të lotoni

Letra prekëse e motrës për vëllain që humbi jetën nga një sëmundje e pashërueshme, do t’u bëjë të lotoni

Publikuar më: 17:58 24-01-2017

Letra prekëse e motrës drejtuar vëllait që humbi jetën, një vit më parë nga një sëmundje e pashërueshme.  Kjo letër do t’u bëjë të lotoni. Brenda pak kohësh (vetëm për gjashtë muaj), të dy prindërit largohen nga jeta duke lënë pas dy fëmijët. Kjo tragjedi familjare rrëfet nga motra përmes rreshtave të jashtëzakonshëm që tregojnë më së miri fuqinë e mallit të vazhdueshëm.

Një letër për vëllain tim. 

Vëllai im i dashur! I shtrenjti Kastriot! E di që kjo letër , me gjasë, nuk do të të bjerë në dorë kurrë Ty, po prapë , une dua të t'i them ca fjalë, s'mund të rri pa t'i thënë... Se ike kur nuk e prisnim, se ike pa kohë, se ishe i vogli, se le shkretim pas teje. Po këto Ti i dije. Kishe vuajtur e po vuaje dhe ai që vuan, di . Kështu thuhet në një thënie të Eskilit të madh. Ishe i mençur, i shtrenjti i motrës, ndaj, kur more vesh për gjendjen tënde, na thoshe: mos qani! Po, po ... Mos qani! Mos qani, se u kam lënë halle për tërë jetën, sa të jeni gjallë, sa te keni frymën. Po ne nuk na shqetësojnë hallet. Ato ca i zgjidhim e ca i lëmë! Veç mallit për Ty nuk kemi cfarë t'i bëjmë. Ai na ha shpirtin pak nga pak e jeta nuk merr dot kuptim. Fëmijët janë mirë, vëlla. Mos ki merak. E di, e di që ata ishin e mbeten meraku i madh, shqetësimi e krenaria jote e madhe. Rriten, vëlla... Po rriten ngadalë. Natyrisht, rriten pa Ty , pa Ju. Nuk kanë asnjërin vëlla. Është e madhe drama e tyre. Është tronditëse të ndiesh pështjellimin e madh në sytë e tyre dhe të jesh pa fuqi për të bërë diçka. I treti malli, vëlla. Ç'të të them e mjera unë?! Blerti shkoi në Itali një jave me basketbollin. Është bërë i mirë, vëlla. I ngadaltë, i matur, nuk përkedhelet më, dëgjon ç'i thonë, kujdeset për të motrën. Me sa duket, pesha që i ra, e ndryshoi, e rriti pa u rritur realisht në moshë. Me shkollën shkon shumë mirë. Është i shkëlqyer, si gjithëmonë. Edhe Ana e dëgjon, mos ki merak. Veç malli për Ju , i treti. Nuk ta fsheh dot këtë. Të thirra të ngriheshe kur nisëm Blertin për në Itali, meqë ishte udhëtimi i tij i parë jashtë vendit , kur ende nuk i kishte mbushur 12 vjeç, po ti nuk më dëgjove... Ana filloi klasën e parë, vëlla. Ditën e parë kishte qarë shumë. Ti i kishe premtuar se do ta çoje vetë në shkollë në atë ditë të veçantë për çdo fëmijë. Madje do të ulëshe në bangë me të. Ndaj e qara e saj nuk kishte mbarim. Me tregoi Nila për këtë. Vinë shpesh te unë, te të katër motrat e tua. Veç t'i shohësh kur hapin derën. Na hapen sytë kur hyjnë në derë dhe dyqind diej na hedhin rreze drite e shprese , po zemra na dridhet e na lëviz vendit se Ti nuk i sheh, Ju nuk i shihni e ndaj i vëmë fre gëzimit tonë. Ana nuk me lë fare të bëj punë kur janë tek unë. Ti e di, i kam shumë për zemër punët unë. S'i dua hiç të shkretat punë të shtëpisë, të them të drejtën. Dhe Ana me bën nder. “ T'i bëjnë hallat punët”- thotë. Mua me ul ne kolltuk dhe vjen e më mblidhet në gjoks, më përqafon fort e mbyll sytë e ndonjëherë edhe e zë gjumi ashtu. Nuk të gënjej, më bien edhe lotë pa dashje në ato momente, se brenga atëherë merr tërë përmasat e saj të mëdha, tragjedia bëhet aq e prekshme sa të ngjeth mishin! Dhe ngelemi pa fjalë, pa zë, pa gojë! Ç't'i them mamasë, vëlla?! Në dhimbjen e saj nuk mund të ndërhyj dot. Po kam edhe porosinë tënde që të luftoj për t'i mbajtur mendjen. Ma le përgjegjësi . Se ti e dije , i mendoje të gjitha me sa duket, ndaj që kur ishe në spital na the : të mjerat ju ç'po ju gjen. Vërtet ç'po na gjente nuk ishte për supat tanë. Po prapë , po ha veten me dhëmbë dhe po përpiqem t'i jap kurajo asaj që nuk ka kurajo... Qante e qante në muajt e parë të largimit tënd pa pushim. Lotët i binin breshër dhe e mbytnin në dhimbje të pafund. Po tani , jo vetëm qan, po me thotë pa pushim se nuk duron dot më. Dhe sikur ndihet fajtore pse ka duruar e ka jetuar deri tani. Kjo është e frikshme, vëlla. Nuk është e lehtë. Mos të të duket e lehtë. Hall është edhe ky. E fundja, pse të mos t' qaj hallet ty?! Ne kemi folur bashkë për të gjitha. Dhe ti vetë më the pas largimit të Zamirit, se unë te kisha Ty, se ishe Ti shpatulla ku do të derdhja lotë e halle! Po tani?! Si guxove e me lë kështu?! Si ike e braktise gjithçka e gjithkënd?! Ç'të të them tjetër?!... Ti erdhe në jetë si një gëzim i papërshkruar. Domosdo, ishe vëllai i vetëm i katër motrave e linde i vogli , pas tyre. Erdhe në jetë mes krismave të armëve. Xha Mehmeti zbrazi armë dhe lajmeroi fshatin se Bilbili ishte bërë me djalë. U rrite mes armësh e mes hallesh, po armët nuk patën punë me jetën tënde, se jeta jote kishte konture mirësie e respekti në çdo hap që hidhje. Veç sëmundja qe e pabindur, qe kokëfortë me ty deri në fund. Të mundi, vella... E them kështu e shpirti me pikon. Erdhe në jetë dhe gëzove gjithkënd, ike me pengje të mëdha nga kjo jetë ( askush nuk u gëzua kur iku), dhe le dhimbje të pafund për këdo. Shokë e miq të tutë janë mirë. Disa i shoh nëpër emisione televizive, me disa kontaktoj, flasim për Ty, tentojnë të më tregojnë ndodhi nga jeta jote. Po shpirti nuk me mban e fjalë nuk kam! E di, e di që mirësia, dashuria, besimi, çiltërsia, guximi e thjeshtësia jote, sinqeriteti yt janë të shpërndara nëpër shokët e tu. Do të doja pa fund të më tregonin gjatë gjithçka dine ata per Ty. Po , mbase më vonë, vëlla. Më vonë do të kërkoj të di më shumë. Të di si të njohin shokët, të di ç'thonë, ç'ndiejëe e ç'mendojnë për Ty. Dua të gjej gjurmët që ke lënë tek ata. Po,... Më vonë... Se tani nuk kam as shpirt, as mend. As durim e as kurajo. Po Ti mos u mërzit! Nuk të largojnë ata nga vetja, nuk të largojmë ne, nuk do të të largojmë kurrë. Je pjesë e çdo bisede, të kemi ndër sy në çdo minutë të jetës. Je i pranishëm, je i paharruar. Se Ti e di : njeriu nuk vdes kur ndahet nga jeta, vdes vetëm kur harrohet! Ti je e do të jesh i paharruar, je e do të jesh i pranishëm në çdo moment, thjesht, se e meriton të jesh pjesë e jetës sonë , së cilës sa qe e sa jetove, shpirt e dashuri pa fund i dhurove. Nëse u mërzite me këtë letër, mos më kthe përgjigje! Veç me jep një shenjë, një grimë të vogël, sa të kuptoj që u ndjeve mirë se kështu do të kem e do të kemi mundësi të gjithë të shtyjmë ditët, orët, minutat. Ta them këtë sepse t'u qava shumë, më duket. E ti nuk i duroje dot qaramanët, edhe pse vete ishe aq i ndjeshëm dhe e derdhje lotin pa kursim. Eh,... Jeta jote vëlla! Jeta jote, furtunë e pandërprerë!... Harrova të të them: nipa e mbesa janë mirë! Aq sa mund të jenë mirë ata dhe të gjithë ne. Nuk të lëshojnë nga goja, vëlla! Sa shumë të deshën, ti e di! Tani enden në rrugët e jetës si zogj me krahë të prerë! U ndjeva e lehtësuar që t'i thashë këto fjalë. Po sa kam për të të thënë?... Kam shumë, shumë fare... S'mbaruan hallet me kaq ! Siç e sheh,prapë Ty t'u shkarkova... Do të të shkruaj prapë, pa merak! ...
Të përqafoj fort! Motra jote: Engjëllushe Hysenbelli( Braho)

Article Logic
Execution time: 0.0039448738098145