Një nga forcat politike që u regjistruan dje si subjekte që do marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit është edhe LIBRA ose Lista e Barabartë që kryesohet nga Ben Blushi.
“Partia Lista e Barabartë, me shkronja nistore “LIBRA”, nëpërmjet përfaqësueses të posaçme, Matilda Beqiri, e autorizuar nga kryetari z. Ben Blushi, ka paraqitur pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën dhe dokumentacionin përkatës për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për zgjedhjet”, – thuhet në relacionin e KQZ. Ndërkohë që vetë, Ben Blushi në një prononcim për “Panorama” thekson se ai është habitur nga regjistrimi i LIBRA me emrin e tij.
“Gati 1 vit pasi u largova nga politika sot u binda për të disatën herë që kam marrë vendimin e duhur kur dëgjova se KQZ me ka regjistruar në zgjedhje si kryetar i LIBRA, partisë që kam drejtuar deri në janar të vitit 2018. Meqë ky lajm me ka habitur si mua ashtu dhe ata që e kanë përhapur, dua t’i siguroj të gjithë se unë nuk kandidoj dhe nuk drejtoj asnjë parti në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ndërkohë kam komunikuar zyrtarisht me KQZ për t’i kërkuar të më çregjistrojë nga fleta e votimit. Shpresoj të më lehtësojnë nga sikleti për të kandiduar me pahir”, – thekson Ben Blushi.