Edhe pse kanë kaluar gati 4 ditë nga masakra në Elbasan, ku mbetën të vrarë 3 persona, Policia nuk ka asnjë të ndaluar si autor, por as ndonjë emër që dyshohet se organizoi atentatin. Endrit Alibeaj ishte objektiv i atentatit, por të vdekur mbetën edhe daja i tij Arben Dylgjeri si dhe një turk, Erdal Durunay.
Autorët dyshohet se kanë qenë vrasës me pagesë dhe e kanë mirëmenduar mënyrën se si do arratiseshin pas vrasjes.
Burime nga Policia e Elbasanit thanë se ka dyshime që dy automjete janë përdorur në këtë atentat. Makina e parë mendohet se ka ndjekur Endrit Alibejn gjatë ditëve që ai ka qenë në Shqipëri si dhe në datën 29 dhjetor, ditë ku u bë atentati.
Me makinën tjetër kanë lëvizur autorët që do bënin ekzekutimin, që sipas të dhënave të Policisë kanë qenë 3. Në total 5 persona kanë marrë pjesë në këtë atentat, duke filluar që nga ndjekja, te vrasja dhe më pas largimi i autorëve.
Por ndryshe nga vrasjet e tjera mënyra e arratisjes së autorëve duket e mirëorganizuar. Ata nuk dogjën makinën me të cilën bënë atentatin por dyshohet se pikërisht me atë automjet janë larguar dhe e kanë fshehur në rrethinat e Elbasanit. As armët me të cilën u kryen vrasjen nuk janë gjetur, çka tregon se autorët kishin planin e arratisjes pa u pikasur nga Policia.
Pas vrasjes atentatorët dyshohet se janë ndihmuar nga një grup kriminal në Elbasan me influencë në zonë, në mënyrë që të mos zbuloheshin nga uniformat blu.
Pavarësisht kontrolleve të Policisë, nuk është gjetur asnjë gjurmë e atentatorëve dhe kjo shton dyshimet e bashkëpunimit të tyre me një grup të fuqishëm në zonën e Elbasanit.
Hetimet për këto vrasje janë shtrirë edhe jashtë Shqipërisë. Endrit Alibej dyshohet se u ekzekutua për shkak të prishjes së pazareve për kokainën.
Konflikti e ka gjenezën jashtë Shqipërisë, por autorët zgjodhën Elbasanin për të kryer ekzekutimin. Endrit Alibej është arrestuar në 2013 në Itali me një sasi kokaine, vlera e të cilës shkonte 10 milionë euro.