Presidenti, Ilir Meta nuk ndalet, i nis këtë mbrëmje një letër publike Edi Rama ku zbulon se teksa ai e priste të takoheshin, kryeministri lahej në pishinë.
Në këtë letër, Meta guxon të tregojë dhe histori personale mes tij dhe Ramës, por dhe opinione mbi marrëdhënien e Ramës me Berishën.
I mësoni nga letra e plotë:
"I dashur Edi
Ti më ke privuar padrejtësisht, si në planin institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, nga mundësia për t’u takuar bashkë.
Jam thellësisht i indinjuar dhe njëkohësisht i brengosur që pritjes sime sot, nga ora 05:00 e mëngjesit ti i’u përgjigje me një të larë në pishinë vetëm 200 metra larg Presidencës.
Doja ta vendosnim bashkë datën e zgjedhjeve dhe kam që nga data 8 qershor 2019 që të pres e të pres, me shpresë.
Por unë, siç me të drejtë ti ankoheshe, nuk mund ta lija Shqipërinë pa një datë të zgjedhjeve vendore dhe t’u mohoja shqiptarëve të drejtën për të votuar në mënyrë të qetë, në paqe dhe me alternativa.
Data 13 tetor 2019 e dekretuar nga unë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, u vendos sepse kjo është data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe për të garantuar përfshirjen në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
Ne të dy e dimë mirë, nga ata që vendosin për të ardhmen europiane të Shqipërisë, se nuk ka çelje të negociatave me Bashkimin Europian me zgjedhje monopartiake, siç ja ke marrë vrapit t’i bësh ti, përkundrazi.
Po të kujtoj se në 17-18 tetor 2019 ne presim mbledhjen e Këshillit Europian, që do të mund të vendosë për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ti thua se data e dekretuar nga unë është dhuratë me rastin e ditëlindjes së Doktorit më 15 tetor.
Ti e di që unë nuk ta kam fshehur asnjëherë, as ty dhe as publikut, dobësinë që kam për Doktorin.
Njerëz jemi, kemi edhe pika të dobëta.
Por edhe ti nuk është se e “urren” aq shumë sa aktron para kamerave dhe militantëve të tu.
Aq më tepër që marrëveshjet më të mëdha në këtë vend i keni bërë ti dhe Doktori, siç ishte edhe ajo brenda natës që ndryshoi themelet e Kushtetutës, që ishte votuar me referendum nga i gjithë populli, dhe pasojat e të cilës i vuajmë edhe sot.
Natyrisht që nuk ka lidhje as me 18 tetorin, ditën e lindjes së udhëheqësit të fundit komunist, Ramiz Alia, i cili, pavarësisht formimit të tij komunist, nuk besoj se e ke harruar, tregoi përgjegjshmëri të lartë me shtyrjen e zgjedhjeve në vitin 1991, duke i krijuar hapësirat e duhura opozitës për të marrë pjesë në to, për të mirën e vendit.
Ndaj të lutem Edi tregohu vizionar, reflekto dhe mos na zhgënje!"
Foto e zgjedhur nga Meta bashkangjitur shkrimit