Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka sulmuar sot kreun e opozitës, Lulzim Basha si dhe kryeministrin Edi Rama. I ftuar në emisionin ‘Opinion’, Meta me ironi pohoi se Basha përfaqëson Rilindjen më mirë se çdo socialist tjetër.
“Zoti Basha përfaqëson Rilindje, më mirë se ndonjë socialist tjetër. Nuk jam i zëmëruar me të, s’kam asnjë problem me zotin Basha dhe Rama. Kam një problem me standardin e zgjedhjeve në Shqipëri, me përpjekjen e pandershme të këtyre individëve janë bere bashkë kundër standardit të zgjedhjeve”, tha ai.
Ilir Meta i ka bërë një sfidë të hapur PD-së dhe PS-së. Ai tha se nëse ato mendojnë se ka shkelur Kushtetutën me përfshirjen në fushatë ta shkarkojnë që nesër.
“Nëse unë kam shkelur Kushtetutën që nesër të më shkarkojnë”, tha Meta
Ndërsa gazetari Fevziu i përmendi trimërinë, Meta tha: “Unë trim kam lindur nuk jam bërë”.
“Nga 24 korriku populli shqiptar do të më gjykojë dhe vlerësojë se si po sillem për përgjegjësitë që ka pres i republikës. Unë nuk kam kërkuar dhe as kisha planifikuar të zgjidhesha President i Republikës. U zgjodha për shkak të krizës”, tha Meta.
Ai tha se vendimi për president, u mor për të shpëtuar vendin nga kriza.
“Mua më ka çuar përgjegjësia ndaj vendit, për të shpëtuar në krizën e një krize legjitimitetin e institucionit të Presidentit. Pasi e pritëm PD-në me insistimin tim për 3 raunde, ishim në kushtet kur ose do zgjidhje një kandidat i PS-së ose i LSI-së ose do shkonim në zgjedhje pa opozitën”, theksoi Presidenti i zgjedhur.
Nje çeshtje e prekur nga ai ishte edhe ajo e Vettingut, per te cilen Meta u shpreh se “Rama e donte Vetting-un per ta zotëruar vete dhe me pas kuptova se opozita kishte te drejte dhe solla eksperte nga SHBA qe e verifikuan, e kjo mërziti Ramen ne raport me mua.”