INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Mister. A po përdor policia një pajisje të rrallë përgjimi?

Mister. A po përdor policia një pajisje të rrallë përgjimi?

Publikuar më: 11:28 11-05-2016

Në zyrat e policisë qëndrore mendohet se është vendosur një pajisje ndër më të sofistikuarat dhe ajo mund të përdoret edhe për përgjim. Kjo është një pajisje e paautorizuar përgjimi. Historia që është në limitet e skandalit, ka nisur rreth një muaj më parë, kur institucionet e inteligjencës shqiptare kanë rënë në dijeni të një informacioni se policia shqiptare përdor një pajisje përgjimi të paregjistruar dhe të paautorizuar nga Prokurori i Përgjithshëm.
Sipas Mapo, në bazë të ligjit aktual, e drejta për të përgjuar i takon vetëm prokurorisë. Sipas ligjit për përgjimet apo dhe Kodit të Procedurës Penale, parashikohet kryerja e dy lloj përgjimesh.
Përgjimet parandaluese që kryhen nga Shërbimi Informativ Shtetëror, pasi të merret miratimi nga Prokurori i Përgjithshëm, duke motivuar arsyen e përgjimit.
Dhe kategoria e dytë, janë përgjimet procedurale që autorizohen nga prokurori për procedime penale të regjistruara në prokurori.
Në asnjë prej këtyre rasteve, policia nuk mund të kryejë përgjime pa marrë më parë miratimin e prokurorit.
Mapo kontaktoi Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por burime pranë saj thanë se prokuroria nuk mund të bëjë asnjë koment për këtë çështje. Po kështu u kontaktua zyrtarisht edhe Policia e Shtetit, ku u mohua ekzistenca e një pajisje të tillë përgjuese.
Por pavarësisht këtyre qëndrimeve institucionale, gjithçka është konfirmuar nga zyrtarë të Policisë, të cilët pohojnë se pajisja përdoret për qëllime trajnimi edhe pse me të mund të kryhen përgjime të paligjshme.
Sipas burimeve, mësohet se pajisja që shërben për zbulimin e personave në kërkim i është dhënë policisë shqiptare nga ana e homologëve italiane. Ajo është futur pa u regjistruar në doganë dhe është instaluar në zyrat qëndrore të policisë, ku thuhet se përdoret për qëllim trajnimi të agjentëve dhe oficerëve të policisë.
Pavarësisht këtij qëndrimi të drejtuesve të policisë është fakt se për këtë pajisje nuk ka dijeni asnjë prej institucioneve dhe krerëve të Sigurisë Kombëtare, pasi ajo nuk rezulton e regjistruar askund.
Po ashtu, për ekzistencën e saj nuk është vënë në dijeni as Prokurori i Përgjithshëm, i cili është i vetmi që mund të kërkojë kryerjen e përgjimeve.

Article Logic
Execution time: 0.0039131641387939