INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Moti i keq, Xhaçka: Monitorim kompanive që duhet të mirëmbajnë rrugët

Moti i keq, Xhaçka: Monitorim kompanive që duhet të mirëmbajnë rrugët

Publikuar më: 10:33 12-01-2019

Ministria e Mbrojtjes po monitoron të gjitha akset rrugore në qarqet e prekura nga moti i keq e në veçanti punën që kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e këtyre akseve. Ministrja Olta Xhaçka thotë se në situatën e vështirë të krijuar nga rreshjet e borës dhe ngricave në bvendin tonë janë vërejtur abuzime nga kompanitë e pastrimeve në disa qarqe të vendit. Këto kompani abuzojnë me kontratat duke u mjaftuar me numër minimal mjetesh borëpastruesesh në akse me gjatësi të mëdha, duke krijuar kështu vështirësi të mëdha për komunitetin në këto zona. Ministria e Mbrojtjes paralajmëroi monitorim të rreptë për punën e këtyre kompanive. Këtë deklaratë Xhaçka e bëri nga qarku i Dibrës ku inspektoi punën që po bëhet prej ditësh për përballimin e pasojave të shkaktuara nga moti i keq. E shoqëruar nga prefekti i qarkut, Nexhbedin Shehu dhe drejtori i përgjithshëm i EC, Haki Çako, Ministrja e Mbrojtjes u ndal fillimisht në aksin Skuraj – Burrel, ku është takuar edhe me efektivët e Detashmentit të Mbështetjes Rajonale të Burrelit, të cilët sikundër qindra efektivë të tjerë në shumë qarqe të vendit po punojnë për hapjen e rrugëve apo ardhjen në ndihmë të banorëve në vështirësi.

“Situata, si kjo e ditëve të fundit nxjerrin në pah jo vetëm problemet dhe vështirësitë por edhe nevojat që kemi për të përmirësuar shërbimin karshi qytetarëve të vendit tonë. Dua të vlerësoj e falënderoj të gjitha strukturat e përfshira në përballimin e pasojave të motit të keq, në veçanti të gjithë ata efektivë e punonjës (FA, Policia, specialistë të emergjencës, shëndetësisë, OSSHEE, etj) që kanë zbritur të parët në terren e do jenë të fundit që do të largohen nga këto zona, deri në momentin kur vështirësitë të kenë kaluar”, tha Ministrja gjatë inspektimit.
“Çdo vit dhe në çdo situatë të krijuar nga përkeqësimi i motit zbatimi i kontratave nga kompanitë që duhet të mirëmbajnë rrugët kombëtare apo ato që lidhin qytetet apo fshatrat ka qenë shqetësimi i rradhës. Edhe gjatë këtyre ditëve janë vërejtur abuzime nga kompani në disa qarqe të vendit, të cilat abuzojnë me kontratat duke u mjaftuar me numër minimal mjetesh borëpastruesesh në akse me gjatësi të mëdha, duke krijuar kështu vështirësi të mëdha për komunitetin në këto zona”.Nisur nga shqetësimet e ardhura nga banorët e këtyre qarqeve, Ministrja e Mbrojtjes paralajmëroi monitorim të rreptë të punës së kompanive.
“Përgjegjshmërinë e mijëra efektivëve e specialistëve nuk e ndeshim nga firmat kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë këtyre ditëve të vështira. Këto kompani paguhen me paratë e qytetarëve shqiptarë dhe situata që kemi konstatuar nuk është më e mira e mundshme. Unë i bëj thirrje ARSH-së, i bëj thirrje bashkive, të cilat lidhin kontrata me firmat mirëmbajtëse kryesisht për rrugët rurale apo ato rrugë, të cilat lidhin fshatrat dhe qytetet me njëri-tjetrin që të ushtrojnë një kontroll shumë më të mirë, mbi këto kontrata dhe mbi punën e këtyre firmave kontraktuese, për të mos t’ju mohuar qytetarëve shqiptarë atë shërbim për të cilin këto firma janë kontraktuar”, tha Ministrja e Mbrojtjes.
Përmes efektiveve të FA-ve edhe specialistëve të Emergjencave Civile pranë bashkive, por veçanërisht përmes zyrës së prefektit po bëhet një vlerësim i kësaj situate për të hartuar një raport të plotë, konstatimet e të cilit do t’i dërgohen të gjitha institucioneve përgjegjëse.

Article Logic
Execution time: 0.0043239593505859