Irena Bogdani, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, është ndarë para kohe nga jeta pas infektimit me koronavirus. Lajmin e trishtë e ka dhënë Universiteti i Tiranës, përmes një postimi në rrjete sociale.
“Në këto ditë të trishta për të gjithë ata që e deshën, e vlerësuan dhe mësuan prej saj, ne duam t’iu shprehim ngushëllimet me të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve e studentëve të profesoreshë Irenës, si dhe të kujtojmë e nderojmë jetën e saj, arritjet, punën, këmbënguljen e pafjalë dhe drejtësinë e pashoqe që e karakterizonte.
Kolegët, studentët dhe miqtë e saj do ta kujtojnë gjithmonë si profesioniste të shkëlqyer, bashkëpunëtore korrekte, model qytetarie në marrëdhëniet njerëzore”, shkruhet në postimin e universitetit.
Ishte ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ajo që deklaroi se pedagogia ndërroi jetë si pasojë e infektimit me Covid-19.
Postimi i plotë i Universitetit të Tiranës
Me hidhërim të thellë mësuam ndarjen nga jeta në mënyrë të beftë kolegia jonë e shtrenjtë, Prof. Asoc. Irena Bogdani.
Ashtu siç jetoi dhe punoi me fisnikëri, urtësi dhe thjeshtësi, ashtu edhe u nda nga kjo jetë pa përzier askënd në vuajtjen e saj. Në këto ditë të trishta për të gjithë ata që e deshën, e vlerësuan dhe mësuan prej saj, ne duam t’iu shprehim ngushëllimet me të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve e studentëve të profesoreshë Irenës, si dhe të kujtojmë e nderojmë jetën e saj, arritjet, punën, këmbënguljen e pafjalë dhe drejtësinë e pashoqe që e karakterizonte.
Kolegët, studentët dhe miqtë e saj do ta kujtojnë gjithmonë si profesioniste të shkëlqyer, bashkëpunëtore korrekte, model qytatarie në marrëdhëniet njerëzore.
Dritë pastë shpirti i saj!