Një studmi i fundit për Indeksi për Mbrojtjen e Fëmijëve për vitin 2016 që lidhet me trajtimin e të drejtave të fëmijëve, flet se në vendin tonë situata është më e përmirësuar, por zbatimi i legjislacionit është i dobët. Madje në këtë pikë renditemi shumë më poshtë se vendet e tjera të Evropës Jug-Lindore.
Vlerësimin më negativ në të gjitha kategoritë e indeksit Shqipëria e merr në kapacitetet institucionale, ku përfshihen fondet e pamjaftueshme që alokohen nga buxheti i shtetit. Në kategorinë e Indeksit për cënueshmërinë e fëmijëve, Shqipëria vlerësohet ulët, me 0.367 nga 1 që është vlerësimi maksimal, duke u renditur në vendin e shtatë, ku vendin e parë për situatën më të mirë e mban Serbia, me vlerësimin 0.62 dhe të dytin Kosova. Po ashtu, Shqipëria renditet në vendin e shtatë përsa i përket shfrytëzimit ekonomik të fëmijëve, por merr vlerësim më pozitiv në kategorinë që përfshin të gjitha format e dhunës në familje, ku renditet në vendin e pestë, menjëherë pas Kosovës.
Të dhënat u bënë publike në një tryezë diskutimi me fëmijë nga Koalicioni së Bashku për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve.
Vetë fëmijët pjesëmarrës kanë këndëvështrim interesant rreth këtyre të dhënave. Ata kanë sjellë fakte konkrete të dhunës psikologjike dhe fizike që përjetojnë në jetën e tyre të përditshme, raste të braktisjes së shkollës, punës së detyruar, tema këto që i trajtojnë edhe në radion e tyre, duke qënë se fëmijët e pranishëm janë pjesë e projektit UndeRadio, nje platforme radiofonike e bërë nga fëmijët për fëmijët në gjithë Shqipërinë.
Nxënësve dhe mësuesve të shkollës “Bajram Curri” në kryeqytet përfaqësuesja e koalicionit Soela Kotherja iu bëri një prezantim për punën që ata bëjnë ku mbrojtja e fëmijëve nga të gjitha format e dhunës, neglizhimit, shfrytëzimit dhe abuzimit janë misioni i tyre.