INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Nis ndërtimi i tunelit për furnizimin me ujë të Tiranës nga burimet e Shën-Mërisë

Nis ndërtimi i tunelit për furnizimin me ujë të Tiranës nga burimet e Shën-Mërisë

Publikuar më: 12:32 03-02-2017

Krahas investimeve në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit të pijshëm në qytet, Bashkia e Tiranës ka nisur edhe investimet strategjike për të rritur kapacitetin e prurjeve nga burimet në Malin e Dajtit, duke ulur në të njëjtën kohë edhe kostot financiare.

Nëpërmjet ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Bashkia e Tiranës ka nisur një nga projektet më të mëdha të ndërmarra në vitet e fundit, që ka të bëjë me shfrytëzimin më të mirë të burimeve të Shën Mërisë dhe rritjen e kapacitetit përcjellës të linjave në sasi të konsiderueshme uji për qytetarët, por edhe ujin që ushqen hidrocentralin e Lana Bregasit me qëllim shtimin e sasisë së energjisë së prodhuar.

Teksa inspektoi punimet që po kryhen në terren, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se për të bërë të mundur këtë projekt po hapet edhe një tunel rreth 2 km i gjatë, i cili do të mundësojë kalimin e tubacionit dhe rënien e lirë të ujit drejt Tiranës.

“Për pak javë do të kemi ujin që vjen nga Shën Mëria direkt nëpërmjet këtij tuneli për të shkuar në Lana Bregas dhe për të furnizuar Tiranën.

Kjo ka disa të mira.I kursen kompanisë tonë 2 milionë dollarë në vit, të cilët shkonin si pagesa për energjinë elektrike që pomponin ujin nga lugina në mal, për të zbritur prapë pastaj në luginë, aty ku është Tirana.

Duke çarë malin, me 2 km tunel, sigurohemi që kemi një linjë të re transmetimi dhe s’kemi humbje.

Jo vetëm kaq, por gjithë furnizimi bëhet me rënie të lirë dhe jo me koston e papërballueshme të pompave elektrike”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se ky investim do të shtojë ujin në hidrocentralin e Lanabregasit, çka do të rrisë kapacitetin e prodhimit të energjisë dhe për rrjedhojë edhe ardhurat prej saj.

“Nga linja e re, një pjesë e madhe e abuzimeve ose e shpërdorimit të ujit në rrjet shkon direkt edhe në hidrocentralin e Lana Bregasit, fitojmë më shumë ujë, fitojmë edhe më shumë energji.

Kësisoj, kemi një kompani që del më rentabël dhe pastaj, kjo na fuqizon financiarisht për të bërë edhe më shumë investime”, u shpreh Veliaj.

Ai vuri në dukje faktin se ky kantier pune ka bërë të mundur edhe punësimin e një numri të konsiderueshëm të banorëve të zonës.

“50 banorë të zonës janë punësuar në këtë projekt. Përveç përfitimit kryesor në ujë dhe në kursime për kompaninë, ka edhe një përfitim dytësor, të njerëzve që punësohen në të gjitha kantieret e bashkisë.

Sipas llogaritjeve tona, në 105 kantiere të Ujësjellësit dhe rreth 100 kantiere të Bashkisë së Tiranës, kemi mbi 10 mijë qytetarë të Tiranës së madhe sot të punësuar me një rrogë dhe të siguruar”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se gjatë këtij viti UKT do të shtojë kapacitetin e filtrimit të ujit të pijshëm edhe në impiantin e Bovillës, duke mundësuar furnizim më të mirë me ujë të qytetarëve të Tiranës.

“Sot kemi një situatë ku, 85 mijë banorë të Tiranës po furnizohen 24 orë me ujë, 500 mijë të tjerë po furnizohen dyfish me ujë; dikur furnozioheshin me 7 orë/ditë, sot 14 orë/ditë.

Megjithatë, edhe pse jemi dy herë më mirë, është dy herë më pak se ç’është ambicia jonë për ujë 24-orë.

Si realizohet kjo? Për këtë vit kemi planifikuar të shtojmë me 30% furnizimin nga Bovilla, duke shtuar kapacitetin tonë filtrues dhe pompues”, tha Veliaj.

Por, që këto investime të japin rezultatet e duhura në furnizimin me ujë të kryeqytetit, kryebashkiaku ka kërkuar nga banorët bashkëpunim për të mos shpërdoruar ujin e pijshëm.

“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët ta përdorin ujin me kujdes. Vërtet e kemi çmimin dy herë më të lirë se Korça, 50% më të lirë se Durrësi, por kjo nuk është arsye që ‘t’i biem me top’.

Kjo përkundrazi, është një arsye për ta përdorur me kujdes sepse përdorimi me kujdes i ujit siguron që gjithë Tirana furnizohet dhe sigurisht pagesat korrekte na garantojnë që të vazhdojmë me këtë ritëm investimesh”, u shpreh Veliaj.

Deputeti i PS, Xhemal Qefalia përgëzoi punën e Bashkisë së Tiranës, e cila përmes investimeve të vazhdueshme ka përmirësuar furnizimin e qytetarëve të Tiranës me ujë të pijshëm.

“Falë punës këmbëngulëse të Bashkisë së Tiranës, sot po shohim një investim të ri. Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës flinte gjumë dhe imagjinonte projekte të cilat nuk i bëri kurrë.

U desh ardhja e kryetarit të ri të Bashkisë që sot të bëjmë një investim tjetër në këtë zonë, që ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e ujësjellësit dhe rritjes së kapacitetit të ujit për të gjithë banorët e qytetit të Tiranës.

Mbetet të thuhen fjalë të mira dhe përgëzime për punën që po bëhet, pasi kjo ndihmon drejtpërdrejtë edhe atë që kemi miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, reformën territoriale, ku tashmë nuk është më ajo fjala e vjetër që ‘fshati rrethon qytetin’, por edhe fshati edhe qyteti janë bashkë”, tha Qefalia.

Projekti i ri rrit në mënyrë të ndjeshme të gjitha parametrat e transmetimit dhe ul kostot.

Sipas projektit të miratuar, do të ndërtohet një linjë e re transmetimi me gjatësi rreth 18 mijë metra linear dhe një tunel në malin e Dajtit me një gjatësi rreth 2 km, i cili do mundësojë edhe rënien e lirë të ujit nga burimet drejt Tiranës.

Gjithashtu, do të ndërtohet edhe baseni i grumbullimit të ujërave për Hidrocentralin e Lanabregasit.

Ky është një investim strategjik i një lloji që për herë të parë ka si aktor Bashkinë Tiranë dhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë.

 

Article Logic
Execution time: 0.0042850971221924