Pesë të rinjë, pjesë e një rrjeti që trafikonte drogë ranë në pranga të policisë së Durrësit, në operacionin e koduar me emrin “Flash”. Një sasi prej 70 kg marjuanë dhe 3 automjete u sekuestruan nga polica. Agjentët e Anti-drogës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative kanë goditur një grup të rinjsh, të cilët në bashkëpunim më njëri-tjetrin transportonin lëndë narkotike nga Vlora në Durrës. Personat e arrestuar janë Pilo Zanaj 34 vjeç banues në Kaninë të Vlorës dhe i dënuar më parë për trafikim narkotikësh. Besian Halka 18-vjeç banues në Shkozë , Xhevahir Mici 25 vjeç banues në Mëzes, Islam Imeraj 31 vjeç banues në Babrru dhe Armando Bardhi 23 vjeç banues në Tiranë. Ata u ndaluan më datën 15 nëntor në lagjen Nr.14 Durrës pasi janë kapur në flagrancë duke transportuar me automjetet e tyre nga qyteti i Vlorës për në Durrës një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit“Marjuanë”, e futur në 12 thasë. I gjithë aksioni i ndalimit të personave të dyshuar si trafkant droge u filmua nga policia. Të rinjtë u arrestuan ndërsa ishin brenda një lokali.