Ora Botërore e Varfërisë mundëson një përllogaritje në kohë reale deri në 2030 për të gjithë shtetet botërore, si dhe monitoron progresin si pjesë e programit kundër varfërisë ekstreme. Ky është një nga objektivat e mijëvjeçarit (SDG) të OKB, për zhvillimin e qëndrueshëm të shteteve.
Sipas website kryesor shkruan Monitor, në botë norma e largimit nga varfëria aktualisht është 1.1 njerëz në sekondë, sakaq objektivi i OKB është 1.5 njerëz për sekondë.
Sipas hartës, në prill 2018, Shqipëria nuk ka varfëri ekstreme. Ndërkaq sipas përllogaritjeve, 0.4% e popullsisë (2.92 mln njerëz përafërsisht) jetojnë në kushte varfërie ekstreme, ose sipas grupimeve të përcaktuara, bëhet fjalë për nën 3% të popullatës. Në rajon, Maqedonia dhe Rumania janë ende nën monitorim të arritjes së objektivave të SDG për zhdukjen e varfërisë në 2030, ndërsa asnjë shtet nuk rezulton me varfëri ekstreme në rritje.
Raporti shkruan se, edhe pse shkalla e varfërisë globale është përgjysmuar që nga viti 2000, kërkohet përpjekje të intensifikuara për të rritur të ardhurat, për të lehtësuar vuajtjet dhe për të ndërtuar elasticitetin e atyre individëve që ende jetojnë në varfëri të skajshme, veçanërisht në Afrikën Subsahariane.
Sistemet e mbrojtjes sociale duhet të zgjerohen dhe rreziqet duhet të zbuten për vendet e prirura nga fatkeqësitë, të cilat gjithashtu kanë tendencë të jenë shtetet më të varfëra.
Ndërtimi i një sistemi të domosdoshëm për të mbrojtur të varfrit dhe forcimi i reduktimit të rrezikut nga fatkeqësitë është një strategji thelbësore e zhvillimit për t’i dhënë fund varfërisë së skajshme në vendet më të goditura.
Humbjet ekonomike nga fatkeqësitë tani arrijnë një mesatare prej 250 miliardë deri në 300 miliardë dollarë në vit. Rreziku i katastrofës në nivel global është shumë i përqendruar në vendet me të ardhura të ulëta.