Vetëm pak minuta pasi ministri Xhafaj u shpreh se policia do t’u nxij jetën grupeve kriminale, deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka përmes një konference për shtyp pas mbledhjes së grupit të Partisë
Demokratike publikoi një video, që tregon momente nga arrestimi i protestuesve për taksën në rrugën e Kombit.
Në video tregohet se kuksianët janë nxjerrë nga shtëpia në mes të natës.
“Policët e Fatmir Xhafës si banditë të maskuar janë sulur dhe kanë rrëmbyer qytetarët e Kukësit”,- thotë ai teksa komentonte pamjet gjatë konferencës.
“Kemi prova të reja për arrestimin e kuksianëve, që u rrëmbyen nga shtëpia, që as regjimet më të egra nuk e kanë bërë. Forcat e Fatmir Xhafës, si banditë të maskuar janë sulur dhe kanë rrëmbyer qytetarët e Kukësit nga shtëpitë e tyre. Rrëmbyen ata qytetarë që protestuan për të drejtën e tyre dhe për bukën e gojës. Nuk do ketë qetësi për Ramën deri sa qytetari i fundit i Kukësit të mbahet në mënyrë të padrejtë në burg. Ata janë të pafajshëm, janë rrëmbyer në kundërshtim me ligjin dhe të drejtat e njeriut. Prokuroria falsifikoi orën e arrestimeve të kuksianëve. Ne si opozitë do jemi në krah të qytetarëve kuksianë” u shpreh Paloka.