Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi ka zhvilluar këtë të martë një takim me ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e kësaj partie Sali Berisha. Lapsi.al mësoi se biseda është zhvilluar në mesditë në zyrën e liderit historik të kësaj force.
Burimet thanë se në fokus ka qenë situata në selinë blu pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e 25 qershorit dhe zhvillimet e ditëve të fundit që lidhen me garën për kreun e PD-së. Astrit Patozi shprehu ambicien për të garuar për të pasuar Lulzim Bashën në krye të PD-së, por nuk hyri në garë për shkak të mosplotësimit të disa kushteve të shprehura prej tij.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka takuar edhe Eduard Selamin, rivalin zyrtar të Lulzim Bashës. Nuk dihet se çfarë është biseduar mes tyre, por besohet se Selami ka kërkuar zhvillimin e një gare të ndershme dhe të barabartë.