INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
PD thirrje Kuvendit: Deklaroni mbarimin e mandatit të Ramës, ka shkelur Kushtetutën

PD thirrje Kuvendit: Deklaroni mbarimin e mandatit të Ramës, ka shkelur Kushtetutën

Publikuar më: 15:52 26-01-2019

Partia Demokratike i ka kërkuar këtë të shtunë Kuvendit të deklarojë mbarimin e mandatit të kryeministrit Edi Rama, duke u bazuar në shkeljen e supozuar ligjore të tij me hapjen e ekspozitës në Berlin.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi në një dalje për mediat u shpreh se ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike përcakton në nenin 27 të tij se, “Kryeministri nuk mund të ushtrojë veprimtari private që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar”.

Ajo cilësoi më tej se Rama, duke shitur krijimtarinë e tij artistike dhe duke krijuar të ardhura të deklaruara 79 milionë, ka vepruar në cilësinë e personit fizik tregtar e kësisoj, ajo theksoi se është në papajtueshmëri me funksionin e kryeministrit dhe deputetit.

“Në këto kushte, Kuvendit të Shqipërisë i takon të mos sillet si vegël në duart e Edi Ramës, por të ushtrojë të drejtën e vet: të konstatojë papajtueshmërinë me funksionin e Kryeministrit/deputetit dhe të deklarojë mbarimin e mandatit të Edi Ramës në bazë të nenit 71 të Kushtetutës. Paligjshmëria, abuzimi me pushtetin dhe pasurimi i babëzitur janë 3 tiparet kryesore të Edi Ramës në krye të qeverisjes së vendit.

Vokshi bëri thirrje në fund që qytetarëve t'i bashkohen protestës së 16 shkurtit, nën kauzën e një të ardhmeje më të mirë.

Article Logic
Execution time: 0.0041301250457764