Është duke u prezantuar në ambientet e Akademisë së Arteve, partie e re e Ben Blushit “Libra”. Në fjalën e tij para simpatizantëve dhe anëtarëve të tij, Ben Blushi tha se kjo parti beson tek një ide dhe jo tek një njeri, se është një parti që ka në themel besimin se Shqipërinë mund ta bëjnë vetëm shqiptarët.
“Besoj se sot e di cili është vendimi më i rëndësishëm në jetën e njeriut, akti më i rëndësishëm është kurajo e tij për të vendosur. Njeriu fshIhet nga mendimet e veta dhe ushqehet me mendimet e veta. Gjatë gjithë jetës së njeriut cilat janë vendimet më të drejta? Të guxosh është e drejtë, të kesh frikë është e padrejtë. Disa kanë luftuar disa janë përpjekur për të tjerët, disa kanë ëndërruar, disa kanë dyshuar, të gjithë sot jemi këtu për të besuar. Ne besojmë se Shqipëria mund të bëhet dhe do bëhet vetëm nga shqiptarët. Shqiptarët kanë detyrimin për ta bërë vendin e tyre, që të jetojnë në harmoni dhe paqe. Me këtë besim kemi ardhur sot këtu të bashkohemi rreth një ideje jo rreth një njeriu. Mendimet e drejta që lindin pas një ideje janë më të qëndrueshme se ato të një njeriu. Një njeri lodhet, përkulet ndalon, një ide nuk ndalon”,- tha ai.
“Ne kemi një ide, e cila na është kthyer në bindje, guxim, vullnet. Kjo ide është LIBRA. LIBRA si organizatë politike e formuar nga shqiptarët, për shqiptarët. Kam nderin të jem pjesë e LIBRA-s më i bindur se kurrë”,- shtoi Blushi.
Ndërsa duke iu drejtuar të pranishmëve, ai tha: “Kurrë në jetën tuaj nuk do zhgënjeheni që vendosët të jeni LIBRA”.
Në këtë event janë parë edhe disa nga figurat më të shquara të jetës publike në Shqipëri. Kështu, gazetarja Sonila Meço duket se i është bashkuar kësaj partie.
Po ashtu, në sallë janë fotografuar edhe Olti Curri dhe ambjentalisti Sazan Guri.