Ditën e djeshme, ish-Kryeminstri, Sali Berisha akuzoi publikisht se Emiliano Shullazi, ka kërcenuar dekanin e Fakultetit Të Shkencave të Natyrës, Mynyr Koni që të hiqte dorë nga gara për rektor të Universitetit të Tiranës, në të kundërt do t’i merrte peng djalin.
Menjëherë pas akuzave të Berishës, policia ka arrestuar mbrëmjen e djeshme, Emiliano Shullazin, së bashku me shokun e tij, Gilmando Dani dhe kushëririn, Blerim Shullazi.
Prokuroria e Krimeve të Rënda, bën me dije se mbi shtetasin Emiliano Shullazi, rëndojnë shumë akuza për vepra penale si “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, dhe “Grup i strukturuar kriminal”.