Edhe pse temperaturat kanë pësuar rënie, kjo nuk i ka ndalur qytetarët që të rendin drejt jugut të Shqipërisë për të kaluar pushimet e tyre verore, duke sjellë kështu edhe bllokim të rrugëve.
E tillë paraqitet situata e sotme në Qafën e Llogarasë, ku që prej mëngjesit ka pasur trafik të ngarkuar, për shkak të qarkullimit të mjeteve që lëvizin nga të dyja anët.
Në këtë aks ka radhë kilometrike, ndërsa drejtuesve të mjeteve u duhet të presin të bllokuar për orë të tëra, raporton “BalkanWeb”.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara, të shumtë kanë qenë ata qytetarë që kanë zgjedhur të presin zhbllokimin e trafikut jashtë mjeteve të tyre. Mësohet se në vendngjarje kanë mbërritur edhe efektivë të policisë rrugore, për zhbllokimin e trafikut dhe normalizimin e situatës.