Kryeministri Edi Rama ishte sot në Lapardha të Beratit për të vijuar fushatën elektorale. Gjatë fjalës së tij, ai falënderoi Lefter Maliqin, që iku nga listat e Partisë Demokratike dhe iu bashkua asaj socialiste.
“I jam mirënjohës Lefterit që me kurajo qytetare na u bashku në këtë betejë, e cila nuk është një betejë mes partish, por një përpjekje e madhe mes të ardhmes dhe të shkuarës”, tha Rama për Lefter Maliqin.
Më pas, Rama kërkoi që shqiptarët të votojnë Partinë Socialiste, sepse kjo është forca politike që do e çojë Shqipërinë përpara.
“Nuk është një garë mes partish, por një garë për të vrapuar më shumë, e më gjatë drejt të ardhmes, apo për tu kthyer mbrapa në të shkuarën.
Me 25 qershor, vota e shqiptarëve është një bilanc se çfarë kanë bërë partitë këto 20 e kusur vite. Kemi bërë shumë në këto 44 muaj qeverisje, por shumë më shumë mbetet për tu bërë dhe gjithçka kemi bërë nuk mjafton, por është e mjaftueshme për të ndarë mendjen se kush është forca që bën shtet në këtë vend; kush është forca që mund ta bëjë Shqipërinë që duam me shtet, punë e mirëqenie.Kjo nuk ka asnjë dyshim, që është Partia Socialiste”, tha shefi i qeverisë.