Gjatë një takimi me banorët e Saukut të Vjetër, kryeministri Edi Rama deklaroi se “marrëveshja e nënshkruar me opozitën është në favor të Partisë Socialiste, e cila arriti ti imponohej PD-së”. Në këtë takim Rama i shoqëruar nga kryebashkiaku Erjon Veliaj tha se më 25 qershor duhet të marrin 18 deputetë në Tiranë.
“Ne ia dolëm t’i imponojmë PD edhe ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi edhe zhbllokimin e Vettingut sot pas pak minutash. Ja dolëm që PD të rikthehet në zgjedhje. E kemi thënë se i duam në zgjedhje se na shijon më shumë fitorja duke i mundur ballë për ballë se sa duke i lënë mbyllur në çadër. Ne nuk shkelëm Kushtetutën nuk u tallëm me popullin. Nuk shkelëm as ligjin kur shtymë me 1 jave datën e zgjedhjeve ishte e vetmja mënyrë për shtyrje ligjore. Ne besojmë që nëse ju themi njerëzve që duam të bëjmë shtet të jemi të parët që i respektojmë ligjet”,- tha ai.
Kryeministri tha ndër të tjera se synojnë që të marrin 2 mandate më shumë në Tiranë.
“Nuk jemi engjëj, larg qoftë por në sheshin e betejës politike jemi shqiptarët më të mirë , Kështu që besoj se këtu në Tiranë ne meritojmë dhe s’kërkojmë asgjë më shumë se sa na kërkon në 18 mandate”,- tha ai.
Rama ka ftuar elektoratin që të vazhdojnë së bashku ndërtimin e shtetit, që me mund e sakrifica ka hedhur themelet në këto 3 vjet e gjysmë. “Ose, ua kthejmë atyre qeverinë dhe themelet e ndërtuara në këto 3 vjet e gjysmë do t'i shihni përtokë në 3 muaj e gjysmë”, ka shtuar Rama.