Kryeministri Edi Rama i ka dhënë fund komenteve të shumta këto ditë për ndyshime në qeveri. Pas mbledhjes së Kryesisë së PS, ai tha se e gjitha çfarë shkruhet këto ditë është një fantazi që vjen prej temperaturave të larta. “Nuk ka ndryshime në qeveri, janë fantazi që vijnë nga temperaturat e larta. Kam thënë që janë një sërë detyrash për t'u bërë dhe nëse janë bërë detyrat nuk ka ndryshime”, tha ai.
Ai tregoi edhe nëse do të ketë largime nga administrata e bashkive që deri më 30 qershor janë drejtuar nga e djathta. “Në funskion të një qëndrimi të qartë që e kemi mbajtur edhe gjatë fushatës në çdo bashki që deri dje është qeverisur nga e djathta për të ndërtuar një proces solid në raport me administratën për të mos shfaqur asnjë tendencë tradicionale prej pushtuesish në këto bashki, për të respektuar të gjithë ata që sot punojnë në këto bashki, për të mos prekur asnjë grua apo vajzë në radhë të parë që figuron në administratën bashkiake dhe për të pasur transparencë për të gjitha lëvizjet që mund të jenë të nevojshme. Jo në funskion të diskriminimit politik apo larg qoftë pastrimit politik por meritës”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama pas shumë ditësh i është përgjigjur një mesazhi që tregoi Ilir Meta se ai kërcënonte opozitën me eleminim. “Për fat të keq të atyre që ende e besojnë këtë opozitë nuk ka nevojë për plane për të eleminuar opozitën sepse opozita është në kapacitete të plota për tu vetëeleminuar. Procesi i degradimit vazhdon në një rrugë që e kanë zgjedhur vetë qorrazi dhe çdo ditë hedhin qorrazi nga një hap. Me rëndësi për ne është ti qëndrojmë besnik të gjithëve edhe atyre që na votuan dhe atyre që nuk na votuan. Historitë me 7x7 bëjnë 42 ja kemi lënë opozitës”, iu përgjigj Rama interesimit të gazetarëve.