INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Revista ‘Vogue’:Tirana dhe Riviera Shqiptare një aventurë në Ballkan

Revista ‘Vogue’:Tirana dhe Riviera Shqiptare një aventurë në Ballkan

Publikuar më: 11:41 14-10-2017
Një nga revistat më prestigjioze në botë në fushën e jetës dhe modës, Vogue,  i ka dedikuar një reportazh të gjerë në seksionin e saj për udhëtimet, transformimit total të kryeqytetit shqiptar, Tiranës.
Në këtë artikull theksohet fakti që Tirana, një ish-qytet i mbyllur komunist, tashmë është një qytet krejtësisht i gjallëruar dhe me banorë shumë miqësorë i cili përbën një atraksion të parë shumë të mirë edhe për ata që dëshirojnë të vizitojnë bregdetin e Adriatikut dhe monumentet arkeologjike.
 
Artikulli i botuar nga Vogue evidenton që në fillim transformimin e madh që ka pësuar Tirana nga kryeqyteti i vendit më të izoluar në botë në një kryeqytet të gjallë dhe plotë jetë.
 
“... Vibrimi këtu, pozitiv dhe i shkujdesur, është i prekshëm dhe bën jehon në restorante, bare dhe kafene në të gjithë lagjet dhe në të gjithë Tiranën. E çuditshme, kjo ish fortesë e komunizmit është e gjallë dhe e përballueshme, banorët e saj janë të hapur dhe miqësorë. Interesi në vendet e Ballkanit është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, me udhëtarët kuriozë që kërkojnë rregullisht qetësinë e detit Adriatik dhe qytetet mesjetare me mure prej guri si Dubrovniku në Kroaci dhe Kotorri në Mal të Zi. Tirana nuk mishëron një tërheqje të tillë tradicionale, piktoreske. Në vend të kësaj, ajo impresionon si një qendër shpirtërore, urbane me një personalitet të fortë të formuar nga një histori e trazuar. Ashtu si Sarajeva që u zhvendos shumë larg mizorive të viteve 1990 duke evoluar në një kryeqytet të begatë të Europës Lindore, Shqipëria po lë pas dekadat e veta të tmerrit dhe izolimin e saj në të ardhmen...”, thuhet në këtë reportazh.
 
Autori në reportazhin e vet ndalet edhe në zonën simbol të udhëheqjes së komunizmit e cila sot është kthyer në qendrën e jetës së natës në Tiranë dhe vendi më i preferuar nga të rinjtë.
“... Radio-ja gjendet në një lagje të quajtur Ish-Blloku, i njohur gjithashtu si Blloku. Sot “Blloku” është një vorbull pulsues dhe argëtues, me tarraca të panumërta të jashtme, që përputhen më se miri me mysafirët e veshur mirë. Ajo ka një atmosferë shumë të zjarrtë dhe të relaksuar, e cila të kujton Athinën dhe Palermon. Megjithatë, gjatë viteve komuniste, Blloku ishte jashtë kufijve të cilitdo që nuk ishte anëtar i elitës së partisë...”, shkruan autori.
 
Më tej në këtë artikull jepet dhe një përshkrim i asaj që përfaqësonte Shqipëria dhe Tirana para 90’ dhe gjithë të këqijat që i solli regjimi diktatorial vendit.
“... Deri në rënien e komunizmit në 1991, rajoni nuk ishte i huaj për socializmin. Por sforcimi i Shqipërisë, nën udhëheqjen e diktatorit stalinist-maoist, mësues i kthyer në diktator Enver Hoxha, ishte veçanërisht i përqendruar dhe shtypës. Hoxha mbizotëroi mbi Shqipërinë për më shumë se 40 vjet deri në vdekjen e tij në vitin 1985 dhe ai me sa duket burgosi, torturoi dhe vrau rreth 100,000 qytetarë shqiptarë në këtë proces. Totalisht paranojak, ai urdhëroi ndërtimin e më shumë se 750,000 bunkerëve, me qëllim për të zbutur frikën e tij kronike e pushtimit të jashtëm...”, shkruan Vogue.
 
Në fakt, paranoja e ish regjimit komunist dhe fortifikimi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë është sipas Vogue një element shumë i rëndësishëm për të kuptuar dhe ndryshimin radikal të Tiranës moderne dhe vibrante që sot është. Autori veçon në reportazhin e tij disa nga pikat më atraktive dhe interesante të Tiranës që mbartin dhe kureshtjen për tu vizituar.
 
“Përshkrimi në këtë të kaluar të shtrembëruar, është thelbësore për të kuptuar Tiranën e sotme, dhe një pikënisje kryesore është Muzeu Historik Kombëtar në Sheshin Skënderbej, një vend i organizuar kronologjikisht me objekteve arkeologjike. Edhe më i mahnitshëm është Bunk’Art, një prej atyre bunkerëve të fshehtë të luftës bërthamore në skajet e kodrës së Tiranës që është shndërruar në një muze. Këtu, në një labirint galerish, endesh nëpër zyrën e ruajtur të Hoxhës dhe shikon një video hipnotike të varrimit të tij. Në qendër të qytetit është Bunk’Art 2, një përkujtim për viktimat e regjimit të Hoxhës, i mbushur me fotografi dhe dokumente më domethënëse. Është efektivisht i pozicionuar pranë Shtëpisë së Gjetheve. Dikur shtabi i policisë sekrete të Sigurimit të Hoxhës, muzeu i imët ndriçon taktikat interesante të mbikëqyrjes së asaj epoke.
 
I armatosur me njohuri për trashëgiminë e Shqipërisë, një njeri i mbushur me vdekje, tirani dhe spiunazh, ndoshta bëhet më e qartë se përse Tirana është aq bashkëkohore, njerëzit e saj janë kaq të gëzuar: më në fund jetojnë një jetë të lirë dhe me kreativitet, frymëzuar  dhe nxitur edhe nga kombet që iu ishte ndaluar të ndërveprojnë me dekada të tëra. Tirana nuk është ende një parajsë turistike, pavarësisht hijeshisë së saj, por pushuesit po shohin potencialin për të kaluar kohën këtu”, thuhet në artikull.
 
Një tjetër element që e bënë Tiranën sipas Vogue interesante është edhe gastronomia. “Ushqimi dhe pijet janë elemente jetësore, shoqërore të kulturës së Tiranës. Ushqimi më i shëndetshëm po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për banorët e Tiranës rinore. Në afërsi të Piramidës së Tiranës, një monument komunist i shkatërruar, ata porosisin gota verë në restorantet përreth”, evidenton autori në përpjekjen e tij për të zbuluar Tiranën.
 
 
Gjithashtu në këtë reportazh një tjetër element që ka rënë në sy të autorit është edhe popullsia e re dhe roli që luan në jetën e qytetit eksperiencat e suksesshme që vijnë nga shqiptarët që kanë jetuar jashtë vendit, duke transmetuar kështu shoqërisë të gjithë eksperiencat e tyre të emigrimit. Kjo cilësohet si një faktor i rëndësishëm për rigjallërimin e qytetit duke e kthyer atë në një qytet kozmopolit, të denjë për statusin e tij, atraktiv për t’u vizituar.
 
“Popullsia e qytetit është trefishuar në njëzet vjet, duke përfshirë shqiptarë të cilët dikur emigruan dhe tani u kthyen me njohuri të shkëlqyera të bareve, restoranteve dhe jetës së natës. Kuzhinierët më të mirë dhe baristët erdhën nga qytetet e mëdha evropiane, ku mësuan aftësitë e tyre, të cilat po ushtrojnë dhe u kalojnë me sukses të tjerëve. Së bashku me plazhet e Rivierës Shqiptare dhe pamjet e mrekullueshme natyrore në pjesën jugperëndimore të vendit në detin Jon, Tirana e zhurmshme është një fillim i këndshëm, kozmopolit, për një aventurë bregdetare në Ballkan”, thuhet në këtë reportazh të botuar nga prestigjiozja Vogue.
 
 

Article Logic
Execution time: 0.0038168430328369