Kryeministri somalez, Omar Abdirashid Ali Sharmarke, ka vendosur t’i bashkohet një fushate që synon të nxjerrë jashtë ligjit gjymtimin e gjenitaleve femërore dhe kjo në një vend ku 95% e femrave janë viktimë e një praktike të tillë. Vlerësimet e bëra në Afrikë, tregojnë se ky fenomen praktikohet edhe mbi vajzat e vogla të moshës nga 4 në 11 vjeç. Sigurisht që një proçedim i tillë, provokon disa probleme të karakterit fizik dhe atij psikologjik.
Fushata që kryeministri ka mbështetur, duke firmosur një peticion që kërkon ndalimin e kësaj praktike, ka lindur nga angazhimi i aktivistes Ifrah Ahmed. Duke qenë edhe vetë një viktimë e gjymtimit, ajo ka vendosur të radhitet në krah të të gjithë atyre femrave që kanë përjetuar diçka të ngjashme. Për BBC ajo ka deklaruar: “Firma e kryeministrit është domethënëse, një hap i rëndësishëm kundër një problemi për të cilin flitet shumë pak në Somali”
Në vazhdim, Ifrah që ka punuar edhe në krah të Ministres së politikave femërore somaleze, Sahra Samatar, për të hartuar një propozim ligji, ka shtuar: “Do të jetë e nevojshme një fushatë informuese, pasi në Somali, gjymtimet janë shumë të përhapura duke qenë se njerëzit mendojnë se ato janë një detyrim fetar. Ndaj dhe ato pak vajza që nuk kanë qenë viktimë e praktikës së njohur, fyhen ose dëbohen nga shoqëria”