INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rishfaqet në publik vajza që u sulmua katër vite më parë me acid. Historia e një gruaje që nuk u dorëzua kurrë

Rishfaqet në publik vajza që u sulmua katër vite më parë me acid. Historia e një gruaje që nuk u dorëzua kurrë

Publikuar më: 17:05 30-08-2017

Katër vjet më parë jeta e saj do të ndryshonte tërësisht. Ishte 27 gushti i vitit 2013, kur Vilma Dule, asokohe 26-vjeç, do të sulmohej me acid në fytyrë nga një burrë. I panjohuri, arriti ta shpërfytyroj vajzën vlonjate duke i rrezikuar seriozisht shikimin e duke i shkaktuar lëndime të rënda në kraharor dhe krahë. Ngjarja ndodhi në një nga rrugicat përballë fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë ndërsa Dule shkonte në punë nën shoqërinë e vajzës së xhaxhait të saj. Ajo punonte si administratore në një Call-Centre. Sot Vilma thotë se sa herë që ishte gati të dorëzohej pas kësja goditje të rëndë i kujtonte vetes se sa e bukur ishte dhurata e të rilindurit për herë të dytë. Vilma Dule tashmë ka vendosur të shfaqë fytyrën e saj në rrjete sociale, duke gjetur forcën për të dalë para të gjithëve dhe për të treguar se nuk duhet t’i dorëzohesh hidhërimit, por të luftosh për të ndryshuar rrjedhën e fatit. Ajo ndjehet një grua e fortë, që nuk ka dëshirë të fshihet.
Nuk mund të mos e lexosh këtë mesazh të bukur për jetën që jep Vilma Dule
“4 vjet më parë, më 27 gusht 2013, një burrë më sulmoi me acid teksa po dilja nga shtëpia për të vajtur në punë. Ishin të shumtë ata që mendonin se s’do t’ia dilja të ringrihesha pas kësaj goditje të rëndë.
Nuk e mohoj, e kam menduar dhe vetë ndonjëherë këtë gjë.
Por, sa herë që isha gati të dorëzohesha, i kujtoja vetes se sa e bukur ishte dhurata e të rilindurit për herë të dytë dhe që nuk duhej ta ‘shpërdoroja’ duke u ankuar e duke qarë për fatin tim të hidhur.
Përkundrazi, duhej të luftoja për të ndryshuar pikërisht atë, rrjedhën e Fatit.
Sot, pas 4 vitesh, jam një Grua e vetëdijshme për forcën e saj, sepse e di që limitet e vërteta janë ata që ne i vendosim vetë vetes.
Sot, jam një grua që nuk ka më dëshirë të fshihet, sepse nuk ka më frikë.
Sot, jam një Grua që ka zgjedhur të mos frikësohet nga stereotipet e bukurisë, sepse e di se bukuria e vërtetë i përket atij që ka një shpirt të pastër dhe që është në paqe me ndërgjegjen e vet.
Sot, jam një grua që i dashuron vragat në fytyrë sikur të ishin rrënjët e saj.
Unë jam Vilma Dule dhe kjo është historia e një gruaje që nuk u dorëzua kurrë”.

Article Logic
Execution time: 0.0038919448852539