Ka dështuar tentativa për arratisjen nga burgu i 5 personave. Ministria e Drejtësisë konfirmon që ngjarja ka ndodhur në burgun e Fushë Krujës një ditë më parë. Mësohet së strukturat kanë ndërhyrë në kohë, duke paralajmëruar arratisjen e 5 personave që gjendeshin në dhomë. Ata kanë sharruar hekurat e dritares por janë pikasur nga grupi i sigurisë e burgut, të cilët kanë parandaluar dhe arratisjen e tyre.
Njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë:
“Në datë 01 maj 2018, rreth orës 11:52, gjatë kontrollit të ushtruar nga grupi i sigurisë, në godinën B (siguria e zakonshme), në njërën prej dhomave të katit të parë është konstatuar dëmtim i hekurave të zgarës së dritares së kësaj dhome.
Nga të dhënat paraprake, rezulton se dhoma ishte e sigurisë së ulët dhe shpesh herë ishte përdorur për akomodimin e personave të paraburgosur. Pesë personat që ndodheshin aktualisht në këtë dhomë, ishin aty prej jo më shumë se 15 ditësh.
Menjëherë janë marrë masa për sigurimin e të dënuarve që ndodheshin në këtë dhomë si dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Në vend kanë shkuar grupe inspektimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve si dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ndërsa është njoftuar edhe Komisariati i Policisë së Fushë Krujës. Hetimet e mëtejshme do të bëjnë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore për autorët.