INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
SHBA-BE: Të zhgënjyer nga takimi Rama-Basha, qeveria të çojë draftin në Kuvend

SHBA-BE: Të zhgënjyer nga takimi Rama-Basha, qeveria të çojë draftin në Kuvend

Publikuar më: 17:38 08-06-2016

Takimi Rama-Basha për arritjen e një kompromisi në lidhje me reformën në drejtësi nuk përfundoi me sukses dhe sigurisht tërhoqi vëmendjen Ambasadës së Shteteve të Bashkauara dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara me anë të një deklarate, ka shprehur zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes Kryeminstrit Rama dhe kreut të opozitës, Basha, dështoi.

Ja deklarata e plotë:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes Kryeministrit Rama dhe Liderit të Opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi. Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë.

Prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë.

Për më shumë se 18 muaj, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, politikanë, shoqëria civile, dhe publiku, janë angazhuar në një debat të rëndësishëm mbi reformën e drejtësisë në Shqipëri. Ky proces shterues e ka përmirësuar draft-paketën e reformës dhe e afroi qeverinë dhe opozitën drejt një marrëveshjeje. Kjo reformë, të cilën e mbështesin shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbetet një prioritet kyç për Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’u siguruar që drafti përfundimtar i paraqitur në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe në Parlament, të jetë një draft i drejtë, që përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas, ekspertëve ndërkombëtarë, dhe Komisionit të Venecias.

Edhe delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së në Tiranë shprehin keqardhjen që udhëheqësit politikë në Shqipëri nuk mundën të arrinin të hënën një marrëveshje për reformën në drejtësi.

Ja deklarata e plotë:

Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së në Tiranë shprehin keqardhjen që udhëheqësit politikë në Shqipëri nuk mundën të arrinin të hënën një marrëveshje për reformën në drejtësi.

Ne e mbështesim fort vazhdimin e procesit demokratik për të siguruar miratimin e propozimit aktual legjislativ, i cili përputhet plotësisht me standardet evropiane dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj BE-së.

Të gjithë anëtarët e Kuvendit mbajnë përgjegjësi të veçantë para shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efektiv.

Ne e nxisim Shqipërinë të ndërmarrë hapat e nevojshme për miratimin e paketës ligjore për reformën në drejtësi.

Article Logic
Execution time: 0.0037961006164551