Presidenti Trump nxiti një sërë reagimesh gjatë Samitit të liderëve të botës, të mbajtur ditët e fundit në Kanada duke sugjeruar që ata të bien dakord, dhe të përqafojnë një botë të tregtisë së lirë, pa asnjë tarifë ose barrierë. Por pas kësaj ai u tërhoq nga deklarata e përbashkët e Samitit pasi u ndje i fyer. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë sulmuan kryeministrin kanadez Justin Trudeau të dielën, duke thënë se ai e goditi pas shpine presidentin me sulme amatore mbi tregtinë. Ata thanë gjithashtu se udhëheqësi i ri, i cili priti Samitin e G7, e bëri Trump të dukej i dobët, ndërsa ai u hodh nga Kanadaja në Singapor për t'u përballur me diktatorin e Koresë së Veriut Kim Jong-un. "Ka një vend të veçantë në ferr për çdo udhëheqës të huaj që angazhohet në diplomacinë e keqbesimit me Donald J. Trump dhe pastaj përpiqet ta godas atë në shpinë pas ai është larguar", tha këshilltari i Trump Peter Navarro për "Fox News Sunday. " Trump mori pjesë në samitin G-7 vetëm disa javë pasi vendosi tarifat për importet e aluminit dhe çelikut nga shumë vende të botës, përfshirë Kanadanë dhe Bashkimin Evropian. Në Samit Trump, u tha krerëve të vendeve aleate se SHBA-ja ishte keqtrajtuar për dekada nga marrëveshjet e tregtisë. Por ai gjithashtu doli me vizionin e një bote ku ekonomitë e mëdha të binin dakord të shembin të gjitha pengesat, duke përfshirë tarifat dhe subvencionet, dhe të përqafonin tregtinë e lirë.