INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Shembet një mbikalim në Indi, 15 viktima, 150 të humbur

Publikuar më: 14:20 31-03-2016

Të paktën 15 persona kanë mbetur të vdekur e shumë të tjerë të plagosur, si pasojë e shembjes së një mbikalimi në ndërtim në qytetin lindor indian të Kalkutës.

Sipas “The Indipendent”, një numër i madh njerëzish kanë mbetur të bllokuar nën blloqet e betonit e çelikut të urës së rrëzuar mbi një rrugë mjaft të frekuentuar kalimi.

Deri më tani nuk ka ende një bilanc zyrtar të viktimave, por sipas dëshmitarëve okularë, mund të kenë qenë rreth 150 persona poshtë mbikalimit në momentin e shembjes, një pjesë me makinë, të tjerë duke udhëtuar me autobusë apo motoçikleta.

Mediet vendase shkruajnë se zona e rrëzimit, Bara Bazar, është një prej më të populluarave në mbarë Kalkutën. Puna për mbikalimin 2 kilometra të gjatë ka nisur në vitin 2009, por përfundimi i tij i ka kapërcyer disa herë afatet.

Ndërkohë, autoritetet indiane shprehen se arsyet e incidentit nuk janë zbardhur ende, por problemet e sigurisë, mungesa e kontrolleve dhe materialet nën standard i shoqërojnë prej kohësh projektet e ndërtimit në Indi.

 

 

 

 

Article Logic
Execution time: 0.0036509037017822