INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ministri rrugaç? Bushati nuk duron më dhe ...

Ministri rrugaç? Bushati nuk duron më dhe ...

Publikuar më: 12:29 17-10-2017

Debat e fyerje personale mes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe kreut të komisionit të integrimit, demokratit Genc Pollo. I thirrur ne një seancë dëgjimore, debati degradoi në fyerje mes ministrit dhe kreut të komisionit. Në pritje të ndjesës së kreut të komisionit, Ministri Ditmir Bushati ka braktisur mbledhjen e komisionit të integrimit. Debati u ndez pas akuzave të opozitës
Ditmir Bushati:
Mund ti diskutojmë me dyer të hapura, me dyer të mbyllura por nota dhe komente ndaj njëri-tjetrit le të mos i vendosim këtu. Në rregull?
Genc Pollo:
Ishit ju që provokuat i pari me sjellje prej rrugaçi Ditmir. Nuk ju provoi njeri.
Ditmir Bushati:
Një sekondë, nuk mund të vazhdojmë. Epitete të tilla nuk kanë lidhje fare me mua, shpresoj të mos kenë lidhje as me ty por makthi që ju ka kapur dhe që flisni krimi dhe droga arrini në këto konkluzione. Në rast se ju nuk tërhiqni epitetin që bëtë ndaj meje sepse unë jam njeri me dinjitet, unë do ta lë këtë mbledhje. Kjo mbledhje duhet të bëhet mbi një parim etik komunikimi. Unë as nuk ju fyeva,as nuk ju shava. Nuk ju fyeva, ju thashë nuk lejoj që dikush këtu të vërë notë për përgjigjet e mia. Përgjigjet e mia mund të mos ju pëlqejnë ndërkohë epitete të tipit.. E para ju më nderoni shumë kur më thoni emrin dhe mbiemrin se unë jam krenar për emrin dhe mbiemrin që kam. Nuk lejoj askënd, as ty, as ty, as Saliun tënd të më thotë mua rrugaç. Sa kohë ti nuk kërkon ndjesë unë nuk përgjigjem dhe nuk marr pjesë në një mbledhje ku ti nuk je i interesuar për të diskutuar dhe debatuar me mua por je i interesuar për të më fyer mua. Mua nuk më fyen dot zoti. Pollo. Unë të drejtohem tu si kryetar i këtij komisioni, kafen drekën, darkën di unë me kë e ha. Mua këtu më trajton vetëm si Ministër të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, në rregull? Sa kohë nuk ke kriterin elementar të edukatës unë nuk mund tu përgjigjem pyetjeve të tua. Nuk mund të vazhdoj në këtë seancë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Unë kërkoj ndjesë nga ana jote për gjënë që ti sapo the. Mos u ndje fare i provokuar nga ajo që thashë për Bregun, me të cilën kam pasur debate shumë të ashpra por kurrë nuk e kam kaluar dhe as ajo nuk e ka kaluar cakun e etikës. Ndershmërinë, nuk je ti kuti i vlerësimit për ndershmërinë, as unë për ndershmërinë tënde. Në rast se ti nuk kërkon ndjesë do të largohem nga ky komision dhe nuk do të ketë mbledhje komisioni ku ti thyen etikën. Në familjen tënde, në shtëpinë tënde politike ti bëj ç’të duash nuk më intereson. Pavarësisht se edhe PD unë e konsideroj pasuri publike. Por në këtë hapësirë që ne ndajmë së bashku kthe fjalën mbrapsht që të vazhdojmë këtë mbledhje.
Genc Pollo:
Je i ftuar ne mbledhje për të shpjeguar funksionet që mbulon.
Ditmir Bushati:
Kthe fjalën mbrapsht, mos më bëj me gisht mua, gishtin ule. Hiqe dhe dy gishtat. Kërko ndjesë.
Genc Pollo:
Ka mundësi të mbyllësh gojën bashkë me mikrofonin?
Ditmir Bushati:
Nuk e mbyll mikrofonin pa kërkuar ndjesë për fjalorin prej një vagabondi që përdore ndaj meje. Saliun kuq nuk e bën dot me mua. Fjalor rrugaç, vagabond, arrogant që u përdor nga ana jote për mua unë nuk e pranoj dot. Dua të mbroj dinjitetin e shtetit shqiptar dhe dinjitetin tim. E refuzoj këtë çorbë. Kjo i shkon vetëm Saliut, Sali kuq nuk kam njohur, e pashë sot. Në rast se nuk kërkon ndjesë për fjalorin që përdore nuk jam më i gatshëm për të vazhduar këtë mbledhje. Nuk pranoj epitetin rrugaç, e kthej mbrapsht me neveri. Merre mbrapsht nëse do që seanca të vazhdojë. Mund të mos kesh asnjë lloj konsiderate për mua por këtu jam Ministër i Jashtëm dhe përballë të kam tu si kryetar Komisioni.
Genc Pollo:
Në komisione përdorim numrin shumës. Është e fundit gjë që një i ftuar, përfshirë dhe Ministër mund ti thotë kryetarit duke gjykuar ndershmërinë e tij. Privatisht mund të mendoni çfarë të doni, personalisht mund të keni idetë tuaja, shprehje e thënë në mikrofon të gjykosh ndershmërinë e kryetarit, vetëm një person me edukatë rrugaçi mund ta shprehë.
Ditmir Bushati:
Ju kërkoj shumë ndjesë për veprimin abuziv të kryetarit të Komisionit. Pres ndjesën e kryetarit. Sa kohë nuk ka një ndjesë nga kryetari i këtij Komisioni unë nuk vazhdoj dot të jem në një ambient të ndotur nga kryetari. Saliu ju bë 74, u bëftë 100. Sali kuq nuk shkon, ka marrë fund koha.
Genc Pollo:
Fatkeqësi që kemi njerëz të tillë, edhe ju kolegë socialistë, halabakë komplet.

Article Logic
Execution time: 0.003809928894043