Siç duket, Londra po shndërrohet falë shqiptarëve, në kryeqytetin europian të kokainës. Së fundmi 3 të rinj kanë habitur autoritetet britanike me shpërndarjen e tyre të drogës.
Sipas mediave Britanike të rinjtë shqiptarë kishin krijuar një rrjet të sofistikuar të shpërndarjes së miellit të bardhë dhe tregoheshin tepër të kujdesshëm për të mos u diktuar nga autoritetet. Ata u dënuan me 60 vite burg në total.
Të rinjtë shqiptarë, duke krijuar një lloj call centeri i cili punohej nga 10 veta, bënin shpërndarjen e kokainës, nga e cila fitonin 4 milion paund në vit. Ky call center i krijuar nga shqiptarët merrte mbi 1500 telefonata në javë dhe kryente me qindra porosi.
Sipas prokurorit Simon Taylor, organizata operonte si një call center normal. Ata e mbanin telefonin të pastër nga përgjimet, pasi e përdornin vetëm për të marrë dhe për të konfirmuar porositë.
Sipas mediave britanike, në telefonat e kapur janë zbuluar imazhe të jetës luksoze të anëtarëve të bandës.
Njëri prej tyre është filmuar teksa i hedh para një këngëtareje, në një klub nate, një tjetër duket teksa kthen në Shqipëri një Range rover Sport, ndërsa një tjetër i vë vjehrrës dhëmbë floriri.
Hetuesit e ndoqën për disa javë aktivitetin e bandës, duke blerë drogë tek ata. Njëri nga anëtarët e bandës, Ervis Dervishi, u kap teksa po i jepte mallin dy oficerëve të maskuar si blerës droge.
Një tjetër anëtar i bandës kishte me vete 8 mijë paund kesh dhe 2 mijë paund kokainë, në momentin e arrestimit.
Hetuesi Taylor thotë se personi që i hidhte para këngëtares në klubin e natës ishte Ervis Dervishi, të cilit i pëlqente jeta luksoze.
Pjesa më e madhe e anëtarëve të bandës rrinin në Britani, në mënyrë ilegale.
Ndërkohë gjatë marrjes në pyetje Nelson Aliaj dhe Fatos Metalia kanë thënë se ishin detyruar të bëheshin pjesë e bandës, pasi i kishin kërcënuar me familjet e tyre.