INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shkollës ‘Dora D’Istria’ i shtohen 12 klasa të reja, hiqet mësimi me dy turne

Shkollës ‘Dora D’Istria’ i shtohen 12 klasa të reja, hiqet mësimi me dy turne

Publikuar më: 11:42 30-08-2018

Në shtator, nxënësit e shkollës “Dora D’Istria” do ta nisin mësimin në klasa të reja, të rikonstruktuara, me kushte më të mira dhe hapësira të zgjeruara. Veç shkollës “Kosova” e cila u rindërtua nga e para, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin dhe zgjerimin e shkollës “Dora D’Istria”, me 12 klasa të reja dhe mjedise tërësisht të rinovuara. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i kënaqur që tashmë, shkolla ku mësoi disa vjet më parë, sot ka hapësira të bollshme për nxënësit.

“Kjo është një nga hapësirat ku unë kam kaluar një pjesë të jetës sime, nga klasa e pestë në klasën e nëntë. Jo vetëm unë, edhe disa miq e kolegë të tjerë si Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Kemi pasur një mësuese të mrekullueshme kujdestare, Polikseni Ndrenikën. Gjithë kjo mëhallë në Njësinë 10 ka qenë epiqendra e formimit tonë, ndaj ndihem shumë mirë sot që rikthehem në këtë shkollë, pas rindërtimit të shkollës ‘Kosova’. Kënaqësia është e jashtëzakonshme, kur ke mundësi të rikthehesh e të bësh diçka për vendet ku je formuar si njeri”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se mjediset e shtuara në shkollën “Dora D’Istria” eliminojnë problemin e mësimit me dy turne. “Në kohën time shkolla ka qenë me turne, pra i bie në mesin e viteve ‘90. Më vjen mirë që, pas 20 e ca vitesh, shkolla shpëton nga mësimi me dy turne dhe fjala dy turne nuk do jetë më në fjalorin e ish-shkollës “20 Vjetori”, sot “Dora d’Istria”. Kemi shtuar 12 klasa, pra është shtuar një krah i plotë i shkollës, është rikuperuar një pjesë e degraduar për aktivitete terreni sportive, është riparuar palestra, kemi futur sistemin e ngrohjes me një dhomë teknike dhe pajisjet për sigurinë e nevojshme”, u shpreh kreu i bashkisë.

Ai theksoi se tashmë, për një pjesë të mirë të zonave në Tiranë, nuk ka më arsye që të ketë mbipopullim, pasi shtimi shkollave, por edhe politikat e Ministrisë së Arsimit, kanë bërë që shkollat të ofrojnë standarde mësimdhënie të njëjta. Sipas tij, klasat me më pak nxënës mundësojnë një mësim më cilësor, prandaj prindërit duhet të bëhen pjesë e këtij procesi, duke i çuar fëmijët në shkollën më të afërt.

“Kjo është një shkollë kryesisht për Njësinë 10 dhe nxënësit e kësaj njësie. Në secilën prej njësive, po bëhen shkollat e reja. Duke qenë se edhe portali po çon mësuesit më të mirë në shkollat e reja, dua të inkurajoj të gjithë prindërit ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Shkollat nuk kanë të njëjtin reputacion si në vitet ‘70, si në vitet ‘80-’90; pra, nuk jetojmë dot me legjenda urbane. Një shkollë e mirë është si fillim një shkollë afër shtëpisë. Dëshira për t’i çuar në cepa të ndryshëm të qytetit, për një shkollë më të mirë publike, është e pajustifikuar me fakte. Sot, faktet po flasin se shkollat që po marrin dhjeta, që po fitojnë olimpiada, që po fitojnë konkurse të ndryshme, janë në fakt shkollat ku shumica e nxënësve vjen nga ajo rrethinë dhe shkollat ku numri i klasave është i arsyeshëm, sipas rekomandimit të Ministrisë së Arsimit”, deklaroi Veliaj.

Në shkollën “Dora D’Istria” janë rikonstruktuar mjediset ekzistuese, por janë shtuar edhe 12 klasa, si dhe një dhomë teknike, që mundëson sistemin e ri me ngrohje qendrore. Shkolla do të ketë edhe një palestër tërësisht të rinovuar, nga parketi, aspirimi, sistemi i ngrohje-ftohjes, por edhe një sistem të ri sigurie. Përveç këtyre ndërhyrjeve të brendshme, është bërë sistemimi i jashtëm i shkollës, është rregulluar fasada, janë rregulluar sistemet e hyrjes së jashtme, janë shtuar edhe terrenet sportive.

Article Logic
Execution time: 0.0026941299438477