Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare feston sot 82-vjetorin e lindjes. Një ditë më parë shkrimtari i madh u dekorua me çmimin “Nonino” në Itali. Ky çmimin i ishte akorduar disa ditë më parë, por Kadaudhëtoi dje drejt Italisë për ta tërhequr. Krerët më të lartë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë uruar uruar shkrimtarin e famshëm shqiptar. “Me rastin e 82 vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare, i shprehim urimet më të mira. Me veprimtarinë e tij të gjerë artistike, Ismail Kadare emrin e letërsisë shqipe e ngriti në përmasa të letërsisë së përbotshme”, ka theksuar Thaçi në urimin e tij. “Me rastin e ditëlindjes Suaj të 82-të, pranoni urimet e mia të ngrohta për shëndet të mirë.
Dëshiroj që lexuesit t'i japësh ende perla nga arti Yt i madh letrar; Kurse familjes shumë dashuri e ngrohtësi”, shkruan Haradinaj. E ndërsa drejtuesit e Kosovës urojnë Kadaren, drejtuesit shqiptarë kanë heshtur. Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër. Ai është një nga shkrimtarët më të mëdhenjtë të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve në mbi 45 gjuhë të huaja, ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore. I vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare, disa herë kandidat i çmimit “Nobel” në letërsi, Kadare u nderua dhe me dekoratën më të lartë franceze “Komandant i Legjionit të Nderit”. Kadare është autor i veprave të njohura ndërkombëtarisht si “Dimri i Vetmisë së Madhe”,”Kronikë në Gur”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Vit i Mbrapshtë”, “Koncert në fund të dimrit”, “Përbindëshi”, “Nata me hënë” e shumë të tjera.