Konkurimi për Shkollën Bazë të Policisë “Patrullë e Përgjithshme”, zhvillohet në disa faza.Në përfundim të të gjithë procesit të konkurimit, do të përzgjidhen 300 kandidatë fitues, të cilët do të vazhdojnë Shkollën Bazë të Policisë, nga të cilët 90 për gjininë më pak të përfaqësuar dhe 6 persona për minoritetet.
Pas përfundimit të fazës se parë, e cila është ajo e provimit me shkrim, Akademia e Sigurisë në Policinë e Shtetit njofton të gjithë aplikantët që janë kualifikuar në fazën e parë në testimin me shkrim, se :
Testimi fizik i aplikantëve fillon më 29 Mars 2016 për dy grupe. Më datë 29 Mars do t’i nënshtrohen testit fizik, në stadiumin Qemal Stafa, aplikantët të cilët kanë kaluar fazën e parë të testimit me shkrim, sipas orareve të përcaktuara, në orën 07:00 Grupi i Parë dhe në orën 13:00 Grupi i Dytë.
Aplikantët duhet të paraqiten me uniformë sportive, kartë identiteti dhe fletën e pranimit.
Listat e aplikantëve për datën 29.03.2016, për të dyja grupet janë publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.