INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Të aksidentuarit në punë mund të përfitojnë para nga shteti! Ja si…

Të aksidentuarit në punë mund të përfitojnë para nga shteti! Ja si…

Publikuar më: 09:14 07-02-2019

Kushdo që pëson një aksident në punë, që pasohet nga paaftësi e përkohshme ose e përhershme ose invaliditet, ka të drejtë të marrë përfitim financiar.

Gjithnjë sipas ligjit, personat e siguruar, në rastet e aksidenteve në punë ose sëmundjeve profesionale, përfitojnë të drejtën e së ardhurës, pavarësisht nga vjetërsia në punë për kujdes mjekësor shtesë dhe riaftësimi; në rast paaftësie; për kompensim për dëme të arsyeshme. I siguruari që, për shkak të aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale, humbet aftësinë për punë, do të përfitojë përfitime për paaftësi të përkohshme; për invaliditet të përhershëm; për invaliditet të pjesshëm të përhershëm dhe për paaftësi të përhershme në masë të vogël.
E ardhura për paaftësi të përkohshme, si pasojë e një aksidenti në punë ose sëmundjeje profesionale, e provuar nga një komision mjekësh ekspertë kompetentë, do të jetë e barabartë me 100% të mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit, nga data e lindjes së të drejtës, paguar për një periudhë përfitimi deri në 12 muaj.
Kurse e ardhura për invaliditet të përhershëm në punë, që ka shkaktuar të paktën humbjen e 67% të aftësisë për punë, e vërtetuar nga një Komision Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë është e barabartë me 80% të bazës së vlerësuar mesatare neto të vitit të fundit para lindjes së të drejtës, por jo më pak se 80% e pagës minimale neto në shkallë vendi. Personit, që përfiton të ardhura në këtë mënyrë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër, sipas vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, i jepet një pagesë shtesë prej 15% të bazës së vlerësuar neto të vitit të fundit para lindjes së të drejtës. Kur ka në ngarkim edhe fëmijë deri në moshën 18 vjeç, ose kur këta studiojnë apo janë të paaftë për punë deri në moshën 25 vjeç, ai përfiton një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të pensionit, por jo më shumë se 30 për qind.
E ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm në punë, që ka shkaktuar të paktën humbjen e 33% të aftësisë për punë, e vërtetuar nga KMCAP-ja, është e barabartë me një pjesë të 80-përqindëshit të bazës mesatare të vlerësuar neto të vitit të fundit para lindjes së të drejtës, në varësi nga shkalla e humbjes së aftësisë për punë, por jo më pak se 50% dhe që përcaktohet në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Pra, pagesë për paaftësi të përkohëshme nga aksidenti në punë ose sëmundjet profesionale, përfitojnë vetëm të punësuarit dhe raporti jepet nga Spitali ose Komisioni Mjekësor (specialitetet), deri në 12 muaj.
Dokumentacioni që kërkohet përfshin raportet mjekësore për aksident në punë; proces-verbalin tip të aksidentit në punë, i cili plotësohet nga subjekti dhe konfirmohet nga Inspektoriati Shtetëror i Punës; fotokopje të kartës së indentitetit. Sektori i financës i ndërmarrjes së punëdhënësit plotëson formularin tip-Listëpagesë të përfitimeve afatshkurtëra dhe e dërgon atë në Sigurimet Shoqërore, ku ka aktivitetin subjekti. Këto kalojnë pagesat në llogarinë personale bankare të përfituesit, ose në atë të subjektit.
Masa e përfitimit është sa 100% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar, të gjashte muajve te fundit. Kjo masë përfitimi vazhdon deri në 12 muaj.

Article Logic
Execution time: 0.0038278102874756