Tërmeti i fuqishëm që goditi vendin ditën e shtunë ka shkaktuar dëme të shumta në banesa në epiqëndër, në Qarkun e Dibrës. Emergjencat Civile raportojnëse tërmeti me magnitudë 5.1 ka lënë të dëmtuara 235 banesa në të gjithë qarkun, ndërsa Bashkia e Matit është më e prekur nga pasojat e lëkundjeve sizmike. Sipas Emergjencave në këtë zonë rezultojnë 90 shtëpi me dëmtime, si çarje të mureve dhe tavaneve. Nga këto 35 familje kanë mbetur në qiell të hapur, për shkak se banesat kanë pësuar dëmtime të shumta. Epiqendra e tërmetit është regjistruar pranë Njësisë Administrative Macukull ku janë disa shtëpi të cilat janë dëmtuar. Gjithashtu, ekspertët e Emergjencave Civile ndodhen prej ditës së djeshme në terren në ndihmë të përfaqësuesve të pushtetit lokal.