INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tremben grekët, ndryshim kufijsh për Shqipërinë dhe Greqinë? Reagon zëdhënësi i komisionerit Hahn

Tremben grekët, ndryshim kufijsh për Shqipërinë dhe Greqinë? Reagon zëdhënësi i komisionerit Hahn

Publikuar më: 19:56 11-07-2018

Një deklaratë e komisionerit për Zgjerim Johannes Hahn është cilësuar nga mediat greke si e “çuditshme”.

Gazeta “Kathimerini” shkruan se “komisioneri ka thënë në një konferencë në Londër se po të arrihet marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, do të ketë edhe ristrukturim të kufijve.”

Po të njëjtën deklaratë, gazeta “Proto Thema” e cilëson si “të pabesueshme”. Kjo gazetë e ka interpretuar në këtë mënyrë deklaratën e Hahn-it:

“Me pak fjalë, komisioneri ka paralajmëruar që në rast se negociatat Kotzias-Tsipras me kryeministrin shqiptar Edi Rama finalizohen, do të ketë ndryshim kufijsh.”

“Proto Thema” shton të thotë se kjo është një deklaratë tejet serioze dhe pritet me interesi reagimi i qeverisë greke dhe i Ministrisë së Jashtme greke.

Komisioneri Johannes Hann ka folur në konferencën me temë“Përtej Berlinit; Çfarë presim në dekadën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor”,organizuar nga Instituti Mbretëror i Çështjeve Ndërkombëtare, ose siç njihet gjerësisht, Catham House.

Ndërkohë, këtë situatë e ka sqaruar zëdhënësi i Komisionerit, i cili iu përgjigj interesit të “Kathimerini”.

“Në asnjë mënyrë komisioneri Hahn nuk i referohet një ndryshimi kufitar”, tha zëdhënësi.

“Duke theksuar nevojën për zgjidhjen e çështjeve të hapura dypalëshe përpara ndonjë zgjerimi të ardhshëm, ai u referohej bisedimeve të vazhdueshme greko-shqiptare mbi zonën ekskluzive ekonomike, e cila mund të arrihet vetëm në bazë të një marrëveshjeje të pranueshme reciproke mes dy vendeve,” shtoi ai.

Article Logic
Execution time: 0.0040979385375977